Izraeli, asistencë në krijimin e kooperativave bujqësore në Shqipëri
Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH) dhe përfaqësues të ambasadës izraelite dhe të Dhomës së Tregtisë Shqipëri – Izrael në vendin tonë, diskutuan për focimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e agrobiznesit.
Në një takim që u zhvillua këto ditë në Tiranë, me drejtues të Shoqërive të Përbashkëta Bujqësore, (SHPB) shqiptare dhe izraelite, u parashtrua si domosdoshmëri eksperienca e shkëmbimit të ideve dhe projekteve konkrete rreth perspektivës së zhvillimit të kooperimit. Takimi u përqendrua në efektivitetin për të parë metodat dhe mekanizmat e funksionimit të tyre mbi parimet e ekonomisë së tregut.
Ilir Kokeri, Kryetar i Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Izrael, duke vlerësuar iniciativën e KASH për të mbështetur krijimin e kooperimit bujqësor shqiptar sipas modelit izraelit, u shpreh se bashkëpunimi mes dy vendeve do të krijojë hapësirat e nevojshme që SHPB që funksionojnë në Shqipëri jo vetëm të përfitojnë nga përvojat e suksesshme të kooperativave izraelite, por të kryejnë dhe binjakëzime mes tyre.
“Format e organizimit dhe drejtimit, arritjet ekonomike dhe futja e teknikave dhe teknologjive më të përparuara botërore janë një fushë nga ku mund të përfitohet shumë”, tha ai. Sot në vendin tonë numërohen 60 kooperativa bujqësore. Starti i tyre është orientuar për të pasur një dinamikë në rritje, duke e parë se është e vetmja mundësi që bujqësia të jetë me efektivitet dhe rentabël në dobi të fermerëve.