Kronika

Ja si votohet elektronikisht, pajisja e fjalës së fundit që shmang sherret për vjedhje vote

Votimi elektronik është bërë një togfjalësh që përsëritet rëndom në politikën shqiptare, sidomos në vitin e fundit të qeverisjes. Në veçanti kanë qenë forcat opozitare që e kanë kërkuar votimin elektronik si mënyra e vetme për të shmangur vjedhjet apo devijimet artificiale të votave.

Por si realizohet votimi elektronik dhe a mund të shmangë ai problematikat e përhershme, veçanërisht pas procesit të votimit? Top Channel sjell mënyrën e votimit elektronik nga një pajisje e fjalës e fundit, e cila u ekspozua në Tiranë, gjatë punimeve të Konferencës së 25-të të trupave të manaxhimit te zgjedhjeve.

Pajisja funksionon me një format letre, e cila mund të quhet edhe fleta e votimit, e cila është unike në përbërjen dhe formën e saj dhe që njihet automatikisht nga pajisja.

Pas futjes së letrës, pajisja të jep mundësinë në ekran  të votosh të preferuarin tend dhe ta konfirmosh votën tënde. Në varësi të programimit, pajisja të jep mundësinë për votimin e më shumë se një kandidature, siç është rasti i zgjedhjeve lokale, ku përveç kryebashkiakut votohet edhe për Këshillin, apo në zgjedhjet e përgjithshme ku përveç kandidatit për deputet votohet edhe subjekti politik.

Pas votimit në ekranin me prekje, pajisja ruan votën ndërsa printon verdiktin e shprehur. Letra e printuar futet në një tjetër pajisje që ndodhet ngjitur me ekranin e votimit, ku barkodi e identifikon atë dhe bën edhe numërimin automatik.

Kjo procedurë shmang debatet e komisionerëve apo grupeve të numërimit mbi vlefshmërinë ose jo të fletëve të votimit, pasi pajisja bën leximin elektronik të fletës dhe nuk le vend për debate.

Gjithashtu, ajo shmang edhe devijimin e votave, ku nuk kanë munguar rastet që votat e partive të vogla ndahen nga komisionerët tek partitë e mëdha. Ajo që është më kryesorja rezultati konfirmohet si nga pajisja ku votohet ashtu edhe nga ajo që numëron fletët e printuar dhe e gjithë kjo procedurë në një kohë shumë të shkurtër, pa qenë nevoja e dhjetëra komisionerëve apo militantëve roje.

/ Top Channel

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button