«Jam i shkatërruar, por nuk kam faj»: tre të akuzuarit për shpërthimin në Plakë dalin para hetuesit
Tre të arrestuarit për shpërthimin vdekjeprurës në Plakë të Athinës mbërritën mesditën e së hënës në ish-gjykatat e Evelpidonit, ku do të japin shpjegime para hetuesit. Sipas raportimit të portalit grek iAnatropi, i pari prej tyre deklaroi shkurtimisht: “Jam i shkatërruar, por unë nuk kam faj për shpërthimin”, ndërsa i treti u mjaftua me një “më falni”.
Të akuzuarit janë dy shtetas grekë, 37 dhe 55 vjeç, dhe një shtetas shqiptar 34-vjeçar, të arrestuar me urdhër të autoriteteve gjyqësore. Siç njofton iAnatropi, ata përballen me tre akuza në shkallë krimi dhe një në shkallë kundërvajtjeje: zjarrvënie dhe shpërthim me rrezik për jetën e njerëzve dhe me pasojë vdekjen e të tjerëve, vrasje me dashje të mundshme në seri, si dhe dëmtim të rrezikshëm trupor, të gjitha në bashkëpunim.
Sipas dosjes hetimore, pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë dy prej të akuzuarve duke hyrë në ndërtesën e rrugës Lisikratus në Plakë dhe duke dalë pak minuta më vonë me sende të vjedhura. Hetuesit vlerësojnë se, gjatë përpjekjes për të hequr edhe një copë tubi bakri, ata shkaktuan rrjedhjen e gazit që çoi në shpërthimin dhe shembjen e ndërtesës neoklasike më 25 shtator, ku humbën jetën dy çifte amerikane dhe një çift i përbërë nga një grua greke dhe bashkëshorti i saj britanik.
Ekspertiza e laboratorit të Universitetit Teknik Kombëtar të Athinës ka përcaktuar se pika e rrjedhjes ndodhej brenda ndërtesës, pranë matësit të katit përdhe, dhe jo në rrjetin e jashtëm. Sipas të dhënave të bëra publike nga mediat greke, të tre të akuzuarit kanë të kaluar të rëndë penale, me rreth 80 përfshirje gjithsej në dosjet e policisë për vjedhje, grabitje e narkotikë: 55-vjeçari rezulton i përfshirë rreth 45 herë që nga viti 1985, greku tjetër 13 herë që nga viti 2008, ndërsa shtetasi shqiptar më shumë se 20 herë që nga viti 2019.
Vendimi për masën e sigurisë ndaj të treve pritet pas përfundimit të marrjes në pyetje nga hetuesi. Të akuzuarit gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.