Jardine: SHBA inkurajojnë demokracinë në Shqipëri
Në kuadër të 70-vjetorit të festës “Victory in Europe Day”, rrjeti i studentëve ekselentë, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, organizuan te enjten takimin e hapur, ku mori pjesë zv/ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ne Tirane, Henry V. Jardine.
Në takimin e organizuar në formën e një bashkebisedimi me studentët, zv/ambasadori Henry V. Jardine e vuri theksin tek rëndësia që ka e kaluara në krijimin e një sistemi demokratik, duke mësuar nga çdo eksperiencë e keqe, në të mirë të shoqërisë shqiptare dhe në hapësirën europiane.
Zv/ambasadori Henry V. Jardine duke u ndalur ne mesazhin e tij për rastin e 70-vjetorit të festës “Victory in Europe Day” tha se “Unë mendoj se Shqipëria ka ende punë për të bërë, por ka shumë rëndësi ajo që ju të gjithë mendoni sot për të realizuar të nesërmen. Shohim shumë përmiresime në fusha të ndryshme në Shqipëri, por ne jemi duke parë se cilat janë elementët dhe problematikat që duhet të zgjidhen. Shtetet e Bashkuara inkurajojnë demokracinë në Shqipëri, reformat e ndërmarra dhe gjithpërfshirjen për qytetarët shqiptarë”.
Gjatë fjalës së tij, ai u ndal edhe tek mënyra sesi e shikojnë Shtetet e Bashkura rrugën e Shqipërisë në integrimin europian, duke u shprehur se “sigurisht që Shqipëria ka bërë mjaft përmirësime në drejtime të ndryshme si dhe në pesë reformat që kërkon Bashkimi Europian”.
“Ne ikurajojmë zgjedhjet vendore të lira dhe gjithëpërfshirësë dhe ky është një moment i rëndësishëm për rrugën e Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Nëpërmjet programeve të ndryshme, ne kemi vënë në dispozicion një shumë parash, më shumë se gjysmë million dollarë në mbështetje të OJQ, të cilat do të vëzhgojnë në zgjedhje. Pra, ne inkurajojmë zgjedhje të ndershme dhe të lira”.
Nga ana tjetër, pyetjes së studentëve se nëse azilkërkuesit shqiptarë në Gjermani, dëmtojnë procesin e Shqipërisë në integrimin europian, zv/ambasadori Henry V. Jardine iu pergjigj se “të kërkosh azil në Gjermani nuk është zgjidhje për shqiptarët, sepse largimi i tyre nuk do të ndihmojë Shqipërinë, por ata duhet të qëndrojnë në vendin e tyre për të punuar dhe ndryshuar Shqipërinë”.
“Victory in Europe Day” festohet që prej 8 majit të vitit 1945 për të shënuar fitoren e Aleatëve të Luftës së Dytë Botërore kunder forcave të Gjermanisë naziste. Tashmë është kthyer në një traditë për Rrjetin e Studentëve Ekselentë të ftojnë figura të njohura të jetës politike, ekonomike, sociale, artistike, në një bashkëbisedim me ta. Në këtë takim të hapur, studentët patën mundësinë të shprehnin komentet e tyre në lidhje me çështje të ndryshme si dhe t’i bënin pyetje zv/ambasadorit për të marrë një përgjigje prej tij.