“Jeni shëmbëlltyra për turistët”/ Rama me 301 mjekë që do shërbejnë në qendrat verore
Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka qenë i pranishëm në Durrës për çeljen e sezonit shëndetësor veror 2026, gjatë të cilit 301 mjekë dhe infermierë të sapoemëruar do të shërbejnë në 36 qendra shëndetësore verore.
Ai u shpreh se këta mjek kanë një rol të jashtëzakonshëm, sidomos në këtë periudhë të vitit.
“Arsyeja pse jemi këtu së bashku lidhet me nevojën për të përçjellë tek të gjithë qytetarët tanë mesazhin se vëmendja jonë, përmes strukturave të shërbimit publik shëndetësor për sezonin, është e lartë dhe nga ana tjetër për t’ju përcjellë mesazhin ju se roli juaj në këtë fazë të vitit është i jashtëzakonshëm. Qoftë sa i përket drejtpërdrejt detyrës për përkujdesjen e atyre që trokasin në dyert e qendrave shëndetësore verore, qoftë dhe për vetë Shqipërinë që edhe përmes jush u flet dhe thotë diçka për veten atyre që vijnë në qendrat shëndetësore duke qenë turistë të huaj“, tha ai.
Siç shprehet Rama, mjekët, infermierët dhe punonjësit e tjerë të shtetit janë ndër përfaqësuesit e parë të Shqipërisë që turistët takojnë në momentet kur kanë nevojë për ndihmë. Për këtë arsye, sjellja njerëzore, përkujdesja dhe cilësia e shërbimit nuk kanë rëndësi vetëm për shëndetin e pacientëve, por edhe për imazhin e vendit.
“Jeni mbase e vetmja shëmbëlltyrë e shtetit shqiptar që ata takojnë, ndërkohë një pjesë tjetër është natyra, shërbimet. Por shteti shihet tek uniformat e punonjësve të policisë, mjekëve, infermierëve, kur turistët kanë nevojë për ta dhe kjo është një arsye më shumë që punën e mirë të bërë në vitet e shkuara të bëjmë çmos që ta përmirësojmë edhe më tutje. Mbi të gjitha, duke vendosur në kryefjalën e misionit të çdo dite njerëzillëkun ndaj atyre që vijnë e trokasin.
Kjo vlen për turistët e huaj, por padiskutim edhe për të tjerët që janë banorë pranë qendrave, pushues pranë qendrave dhe kini parasysh faktin që kjo vlen edhe për vetë ekonominë e vendit në mënyrë indirekte, sepse marrja e shërbimeve të mira, sidomos marrja e një shërbimi njerëzor e mbresëlënës në derën e një qendre shëndetësore, e bën njeriun shumë më pozitiv ndaj vendit ku gjendet dhe patjetër stimulon rikthimin”, tha ai.
Nga eksperienca personale, Rama u shpreh se të huajt kanë vlerësim pozitiv nga qendrat mjekësore. Kryeministri thekson dëshirën e tij që kjo përvojë pozitive të mos mbetet vetëm tek turistët apo vizitorët e huaj, por të jetë e njëjtë edhe për qytetarët vendas që marrin shërbime në strukturat shëndetësore.
“Kam pasur më shumë se një rast mundësi të dëgjoj nga të huaj përshtypjet për shërbimin në spitalet tona apo qendrat shëndetësore, e them me shumë kënaqësi që përshtypjet ishin tejet pozitive. Në radhë të parë nga mënyra e komunikimit të personelit shëndetësor. Do ishte jashtëzakonisht më mirë sikur këto të ishin përshtypjet e të gjithëve, e të pacientëve apo të vizitorëve vendas në strukturat tona shëndetësore“, tha ai.
/tvklan.al




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.