Rajoni

Jo-ja nuk është fjala e fundit

Pas dorëheqjes së Ministrit të Financave Varoufakis Greqia kërkon një fillim të ri në negociatat me kredidhënësit. Por pozicionet janë ngurtësuar.

Që dy orë pas mbylljes së lokaleve të zgjedhjeve ishte e qartë: në bazë të rezultateve paraprake të Ministrisë së Brendshme të Athinës, në këtë kohë kampi-Jo ndodhej me 61 përqind të votave shumë përpara dhe mori thuajse në çdo zonë elektorale shumicën e votave.

Pasoi një festë në qendrën e Athinës të mbështetësve të Jo-së, deri në orët e para të mëngjesit. Kjo në një kohë kur të gjitha sondazhet e ditëve të fundit patën sugjeruar një garë kokë më kokë. Kryeministri Alexis Tsipras, i cili e thirri referendumin për propozimet e kursimit duket më i fortë në pozicionin e tij.

Numri i nevojshëm i pjesëmarrësve, prej 40 përqind që referendumi të shpallej i vlefshëm, u tejkalua mjaft me shifrën 65 përqind. “Edhe vetëm pjesëmarrja e madhe e njerëzve e largon çdo dyshim për ligjshmërinë e referendumit”, deklaron Nikos Filis, zëdhënës i Grupit Parlamentar të partisë së majtë Syriza, në intervistë me televizionin grek Mega.

Arsyeja për këtë deklaratë: të gjithë gjykatësit kushtetues dhe jo së fundi Këshilli i Evropës patën shprehur para referendumit dyshim nëse referendumi ishte në përputhje me ligjet – para së gjithash për shkak të pyetjeve të paqarta dhe shumë komplekse, si dhe kohës jashtëzakonisht të shkurtër të fushatës elektorale.

Pas fitores së qartë të papritur të kampit-Po, në shtypin e Athinës janë shtuar spekulimet për një Grexit, për daljen e Greqisë nga Eurozona. “Dakordim ose Grexit” është pyetja që shtrohet tani e tutje, bën të ditur gazeta ekonomike liberale Kathimerini. “Reforma ose Grexit”, është titulli i shkrimit të gazetës Ta Nea. Një interpretim tjetër bën Avgi, gazeta partiake e të Majtëve grekë: “61 përqind i thonë jo politikës së rreptë të kursimeve.”

“Populli ynë mund të rezistojë”

Megjithë reagimet e ashpra nga vendet e BE, qeveria Tsipras e kupton referendumin jo si një fund, përkundrazi, si një fillim të ri të negociatave me kredidhënësit. “Ne punojmë që të arrijmë një dakordim. Populli ynë ka treguar se ai mund të rezistojë”, deklaroi Ministri i Brendshëm, Nikos Voutsis të dielën në një intervistë televizive.

Dhe shtoi: “Një javë të tërë duruan njerëzit në Greqi, me siguri që do të durojnë edhe disa ditë më shumë”, një aludim për mbylljen e bankave me urdhër të qeverisë të hënën e kaluar (29.6.), hap që ndoshta, në mungesë ta parave do të zgjatet.

Ekonomisti Kostas Stoupas beson se qeveria greke ndodhet në një rrugë pa krye dhe do të konfrontohet me pasoja të pakontrollueshme javët dhe muajt e ardhshëm për shkak të mbylljes së bankave. Sipas mendimit të tij kërcënon zvarritja e pagesave në shërbimet publike, si dhe mungesë ushqimesh, medikamentesh dhe e benzinës. Stoupas është i sigurtë: “Fitorja e Jo-së në referendum e vështirëson pozicionin e negociatave të Greqisë.”

Kthim në tryezën e negociatave

Qeveria e Athinës e sheh këtë ndryshe: përfundimi i referendumit nuk është porosi për t’u prishur me donatorët, deklaroi Kryeministri Tsipras në një fjalim televiziv të dielën në darkë. Ka padyshim zgjidhje të qendrueshme, megjithatë me kredidhënësit duhet folur edhe për një ristrukturim të borxheve greke.

Vetëm pas referendumit grek nis “pjesa substanciale e negociatave”, tha zëdhënësi i qeverisë, Gavriil Sakellaridis. Prej kohësh kryeministri Tsipras ka premtuar se do të arrihet një dakordim me donatorët “brenda 48 orëve pas referendumit”.

Disfata e papritur e rëndë e kampit të Po-së ka pasoja jo së fundi edhe për opozitën në Athinë: para një takimi krize të të gjithë drejtuesve të partive me Presidentin e shtetit Prokopis Pavlopoulos të hënën (06.07.) dha dorëheqjen udhëheqësi i opozitës konservatore dhe ish-kryeministri Antonis Samaras. Kryetar i ri i përkohshëm i partisë do të bëhet ish-Presidenti i Parlamentit Vangelis Meimarakis, i cili i ka kërkuar Kryeministrit Tsipras ta realizojë tani premtimin për “dakordim brenda 48 orësh.”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button