Jo më shumë se një simbol: Gjermania pranon refugjatë minorenë nga Greqia
49 refugjatë të pashoqëruar minorenë pranon Gjermania, megjithë krizën e Coronës. Shumë pak, thonë kritikët. BE e ka lënë vetëm Greqinë, e ky vend po shkon drejt katastrofës.
Zakonisht Aeroporti i Athinës është plot me turistë apo njerëz të biznesit. Vetëm në vitin 2019 aty kanë kaluar 29 milionë pasagjerë. Këtë vit pritej që rekordi të thyhej. Por në krizën e Coronës, korridoret janë bosh, megjithë festën ortodokse greke të pashkëve. Një nga avionët që u nis të shtunën e pashkëve ortodokse mori rrugën drejt Hanoverit në Gjermani. Në bord 49 refugjatë minorenë të pashoqëruar. 58 minorenë duhej të vinin, por një pjesë është e sëmurë, jo me Corona, dhe të udhëtojë më vonë.
Megjithë masat e sigurisë për shkak të pandemisë, ata lejohet të vijnë në Gjermani. Një pjesë e minorenëve i pranoi Luksemburgu javën që shkoi. Por situata në kampet greke të refugjatëve nuk do të përmirësohet me ardhjen e këtyre pak minorenëve.
5200 minorenë të pashoqëruar në Greqi
Europa kishte premtuar në mars pranimin e 1600 minorenëve të pashoqëruar. Por erdhi kriza e Coronës, dhe qeveria gjermane fillimisht vendosi të ndërpresë pranimin e refugjatëve. Ministria e Punëve të Brendshme e pyetur nga Deutsche Welle, bëri të ditur, se ky vendim nuk prek fëmijët minorenë, që do të evakuohen si është premtuar, por për një kohë të gjatë nuk u bë asgjë.
Që tani lejohet të vijnë 70 minorenë, nga shumë organizata humanitare vlerësohet jo më shumë se një gjest i mirë. Për shkak të situatës katastrofike në kampet greke, shpresat ishin në fillim shumë më të mëdha. Zhgënjimin nuk e zbut as deklarata e dhënë të shtunën nga ambasadori gjerman në Athinë, Ernst Reichel. Ai tha para medias, se në Gjermani do mund të vijnë 350-500 minorenë të pashoqëruar. Se kur, kjo nuk është e qartë.
Për Philippe Leclerc, drejtuesin e organizatës së OKB-së, UNHCR në Greqi, ky është një fillim, edhe pse shumica e vendeve u tërhoqën nga premtimi për pranimin e refugjatëve të rinj. Pas shumë thirrjesh për ndihmë, u fillua me pranimin e fëmijëve nën 14 vjeç, që qëndronin në kushte jonjerëzore në kampe. Nevoja është urgjente, thotë Leclerc. „Prej më shumë se një viti situata në ishujt, Lesbos, Samos, Kos është e padurueshme. Në Samos kapacitetet janë tejkaluar më shumë se 11-fish.” Sidomos në kohët e Coronës kjo gjendje është e papranueshme dhe Greqia nuk duhet lënë vetëm, sipas tij.
Rënia ekonomike për shkak të Coronës?
Vasilis Papadopoulos ka ndërkohë shqetësime të tjera. Presidenti i Këshillit të Refugjatëve në Greqi, GCR vret mendjen për kohën pas Coronës. Greqia do të futuet në një krizë të re ekonomike për shkak të virusit, thotë ai. „Do ketë probleme me integrimin”. E kjo prek më shumë fëmijët. „Më shumë se 1000 refugjatë të pashoqëruar, nuk kanë as strehë të përhershme, jo më shkollim apo të ardhme.”
Papadopoulos e di, se koha nuk pret. Aktualisht Greqia është në gjendje të jashtëzakonshme. Qeveria e Athinës është krenare, që me masa të rrepta e ka mbajtur nën kontroll virusin. Çdo dalje tekd era duhet justifikuar dhe protokollohet. Ka gjoba për ata që dalin pa arsye në rrugë. Pikërisht në kohën e pashkëve ortodokse u ndalua qarkullimi në autostrada. Synimi është ndalimi i vizitave familjare që mund të sjellë përhapjen e mëtejshme të virusit. Rrugët në Selanik e Athinë janë gati bosh. Policia kontrollon gjithkund.
E ardhmja e pasigurtë – për grekët e migrantët
Corona sundon jetën e qytetarëve dhe mediat. Edhe vëmendja për pranimin e 58 fëmijëve minorenë nga Gjermania nuk është e madhe. Para Coronës, një numër kaq i vogël do të kishte shkaktuar një valë zemërimi. Tani njerëzit interesohen më shumë, nëse refugjatët i respektojnë masat kufizuese apo nëse përhapja e virusit në kampe mund të kthehet në rrezik për popullsinë lokale. Pas disa javësh pauze, qeveria greke do të fillojë të shpërndajë 2300 refugjatë të rrezikuar nga kampet në hotele. Në rast nevoje edhe kundër vullnetit të pronarëve.
Për shumicën e grekëve në epiqendër janë shqetësimet për të ardhmen. „Unë jetoj nga ardhja e turistëve në verë. Kemi ujdi konkrete me hotelet. Nëse në verë nuk vjen askush, nuk e di se çfarë do të bëj”, thotë një taksist. Ai nuk shpreson në ndihmën e BE. Pas vitesh krize, besimi tek Europa ka rënë. Askush nuk beson, që Athina dhe Brukseli, do mund të zbusin rënien e thellë ekonomike që parathonë ekspertët.
70 minorenët që shpresojnë tani për një të ardhme më të mirë në Gjermani e Luksemburg lenë pas vetes një vend me shumë shqetësime. Si grekët ashtu edhe migrantët nuk e dinë, se çfarë do të sjellë e ardhmja.