Bota

Josep Borrell: Kthimi i 72 vjeçarit spanjoll në skenën europiane

Politikani spanjoll do të bëhet i ngarkuari i BE me Politikën e Jashtme. Ai shihet si njeri me bindjet e veta, ide të qarta për separatizmin e mbrojtjen e kufijve të jashtëm europianë. Pavarësinë e Kosovës ai e refuzon.

Faktikisht Josep Borrell i Fontelles ishte tërhequr në jetën private pas një karriere të gjatë profesionale. Por një ditë vere në vitin 2018, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez e pyeti, nëse nuk donte të punonte si ministër i Jashtëm në kabinetin e tij. Dhe Borrell tha po, donte. Nuk dihet nëse ato ditë ai e pati menduar, se ky nuk do të ishte fundi i karrierës së tij.

Edhe më parë Borrell nuk ishte zhdukur krejt nga skena politike e Spanjës. Sepse ai gjithnjë ka marrë fjalën për të thënë diçka në konfliktin e hidhur për ndarjen e rajonit të Katalanjës nga Spanja. Borrell, që është vetë katalanas dhe bën pjesë tek socialistët katalanas, ka qenë shumë kundër ndarjes së shtetit spanjoll. “Kufijtë janë plagët që historia ka lënë mbi tokë,” pati thënë ai një herë.

Nuk është hera e parë që Borrell, i lindur në 1947-n si fëmijë e një bukëpjekësi, merr pjesë në një kabinet qeveritar në Spanjë. Më 1984 ai ka qenë sekretar shteti për Financat dhe nga 1991 deri 1993 ministër për Infrastrukturën, Transportin dhe Ambientin. Në prill 1998, socialistët spanjollë e zgjodhën si kandidat për postin e kryeministrit për zgjedhjet e vitit 2000. Por përvoja e tij në qeverisje ka qenë më e hershme, kur ka qenë anëtar i qeverisë rajonale në Madit, nga 1979 deri më 1982.

Inxhinjer aeronautike, ekonomist, specialist kompjuterash

Borrell është i mësuar edhe me skenën europiane: Nga viti 2004 deri më 2007 ai ka qenë president i Parlamentit Europian. Ai nuk ka studiuar për politikë, por për inxhinjeri aeronautike, dhe mban titullin doktor shkencash në ekonomi. Po ashtu ka një mastër nga universiteti amerikan i Stanfordit si dhe Institut Français du Pétrole. Në koncernin spanjoll të naftës, Cespa, ai ka drejtuar një sektor të sistemit të kompjuterave.

Po Borrelli nuk është pa asnjë njollë. Kur ka qenë në postin e presidentit të Institutit Europian të Shkollave të Larta në Florencë, post që e mori përsipër në vitin 2010, atij iu desh të jepte dorëheqjen dy vjet më vonë. Arsyeja ishte se nuk kishte treguar hapur për honorarin prej 300 mijë eurosh që merrte nga koncerni i energjisë Abengoa, duke qenë anëtar i Bordit mbikqyrës.

Kundër Brexitit, kundër separatizmit

Borrell nuk e fsheh refuzimin e çdo lloj ndarjeje rajonale. Brexitërve ai u drejtohet me të njëjtat fjalë të ashpra si separatistëve katalanas. Duke qenë ministër i Jashtëm i Spanjës, ai vizitoi në muajin mars Beogradin duke e bërë të qartë, se Spanja vazhdon të jetë kundër pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Spanja bën pjesë në ato pak vende të BE që nuk e njohin Kosovën.

Filozofinë e tij ai e bëri të qartë në fillim të muajit maj në një kolokium në Madrid. Duke patur parasysh Europën, dhe fuqitë e mëdha Kinën, Rusinë dhe SHBA ai tha: “Ne jetojmë në një botë gjigandësh, dhe nëse nuk kemi minimumin e madhësisë, atëherë do të humbasim rëndësinë.”

Në këtë politikë bëjnë pjesë edhe rritja e shpenzimeve për mbrojtjen dhe ndihmë më e madhe për teknologjinë. Edhe nëse kufijtë janë plagë, Borrell kërkon mbrojtje të fortë të kufijve të BE. Dy javë më parë ai tha në një intervistë me gazetën gjermane “Süddeutschen Zeitung”: “Ne vendet e BE duhet të krijojmë sa më shpejt një koncept, si ta trajtojmë problemin e migracionit masiv. Deri tani ne politikanët e Europës kemi ndjekur politikën e strucit. Po mjafton të shohësh nivelin e lindjeve në Afrikë për të kuptuar me çfarë problemi të madh do të konfrontohemi.”

Që ka kokë të fortë, Borrell e tregoi edhe në një intervistë me Deutsche Wellen. Kur intervistuesi i emisionit “Conflict Zone”, Tim Sebastian, e konfrontoi me pyetje jo të rehatshme për Katalanjën, ai hoqi mikrofonin dhe u largua nga studio. Vetëm pas punës bindëse të këshilltarëve, pranoi të kthehej për të vazhduar intervistën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button