Kadare, shumë pranë çmimit “Angelos”
“Aksidenti” i shkrimtarit Ismail Kadare, pretendent për çmimin e lexuesit në Poloni
Gati një vit më parë, përkthyesja polake e shkrimtarit Ismail Kadare, Dorota Horodyska, teksa fliste për krizën e botimeve në Poloni, shpresonte që romani që sapo kishte përfunduar së përkthyeri, “Aksidenti” i Kadaresë, të gjente dritën e botimit sa më shpejt. Tashmë një vit më vonë, “Aksidenti” i botuar nga “Świat Książki”, duket se është pritur mirë nga lexuesi polak, pasi konkurron për çmimin e madh të lexuesve, “Angelus”. E emocionuar nga kjo pritje që lexuesi polak i ka bërë shkrimtarit shqiptar, Dorota u kërkon në faqen e saj në “Facebook” shqiptarëve të japin një votë për Kadarenë. “Për mua, më e rëndësishmja është që librat e Kadaresë të përzgjidhen ndërmjet disa dhjetëra librave për finalen e ngushtë. Mund të shtoj gjithashtu, që në të shtatë edicionet e konkursit, as edhe njëherë nuk ka fituar një autor polak”, thotë Horodyska. Kadareja është përballë shkrimtarëve Jelena Czyżowa, Oleksandr Irwanec, Wiesław Myśliwski, Palov Rankov, Martin Smaus, Jachym Topol. “Angelous” është një nga çmimet më të mëdha letrare në Poloni. Presidente e jurisë është intelektualja dhe shkrimtarja Natalia Gorbaniewska. I botuar në shqip në 2010-n nga “Onufri”, “Aksidenti” është një vepër që tregon të patregueshmen. Në një pasdite kryeqytetase, personazhi i këtij romani i propozon gruas së hijshme të porsanjohur diçka që do të dukej e papërfytyrueshme disa vite më parë, gjatë kohë së komunizmit: një udhëtim fundjavor në një qytet të Europës. Kështu ka filluar ngjarja e përshkruar në romanin “Aksidenti”, e para vepër e autorit që, përpara se të botohej në shqip, është përkthyer e botuar ndërkaq në disa vende të Europës. “Në këtë vepër magjistrale, thuhet në paraqitjen e botimit francez, Kadareja është përpjekur të tregojë të patregueshmen: një histori dashurie apo një histori vrasjeje, apo ndoshta një tjetër histori, që i mbulon të dyja si një maskë? Pyetja, deri në mbarim të librit, nuk i ndahet lexuesit.” Raportet e çiftit kthehen në një antropologji të thurur me tregime të panumërta, të para si “rrëfimi i të vdekurve”. Kadareja gjykonte dikur se censura staliniste kishte vrarë para kohe në trurin e tij “qelizat pararojë, vetë ato që ripërtërijnë artin” (Bisedë me Eric Faye, Corti, Paris, 1991). Sidoqoftë, disa prej tyre duhet t’i kenë rezistuar goditjes … Hetuesi, në fund të romanit, jep frytin e përsiatjes së tij në shkëmbim të pasqyrës që do të marrë me vete në varr.
Ai harton një testament, duke dëshiruar që varri i tij të hapet pas një mijë vjetësh, sepse është i bindur se “pasqyrat, te të cilat gratë zbukuroheshin përpara se të putheshin ose të vriteshin, diçka thithnin prej tyre. Mirëpo në këtë botë shpërfillëse askujt nuk i kishte rënë ndërmend të merrej me to”, shkruan për këtë libër Jean Paul Champseix. Por për Dorotën, “Aksidenti” është një vepër që të prek thellësisht dhe lexuesi polak është një lexues i ndjeshëm, që beson ende te veprat që arrijnë ta tronditin. Dorota është e vetmja përkthyese që përkthen shkrimtarin nga origjinali në polonisht. Para se ajo të niste të përkthente, disa vepra të Kadaresë ishin përkthyer në Poloni, por nga frëngjishtja, si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Kush e solli Doruntinën”, “Dosja H.” dhe “Përbindëshi”. Nga përkthimi i Dorotës kanë dalë deri tani në gjuhën polake librat “Pallati i ëndrrave” (2006), “Pasardhësi” (2008), “Qorrfermani” (2010) që përbëhet në fakt nga tri novela: “Qorrfermani”, “Breznitë e Hankonatëve” dhe “Komisioni i festes”, si dhe “Vajza e Agamemnonit” (2011). Siç shihet krijimtaria e Kadaresë është e pasur në gjuhën polake. “Ëndërroj të mund të përkthej ndonjë prej veprave të tij më të hershme, si për shembull ‘Dimri i madh’ apo plotësimi i ciklit të tij të rrëfimeve mbi Gjirokastrën ‘Kronikë në gur’, ‘Çështjet e marrëzisë’ apo ‘Darka e gabuar’, për të cilën do të flas edhe më tej”, shprehet Dorota në një intervistë për gazetën “Shqip”. “Ndër veprat e Kadaresë, libri i tij më i vlerësuar është ‘Prilli i thyer’ dhe më pas ‘Gjenerali …’, ‘Kush e solli Doruntinën’ dhe më pak ‘Përbindëshi’. Por kjo është realisht një çështje shijesh dhe ka të tilla, aq sa ka dhe lexues”, vazhdon ajo. Kjo është hera e tretë që Kadareja gjendet në finalen e çmimit “Angelus”, i cili u jepet shkrimtarëve të Europës Qendrore dhe Lindore që ende jetojnë: në vitin 2007 me librin “Pallati i ëndrrave” dhe në 2011-n me “Qorrfermani”. “Dhe dy herë nuk ka fituar. Siç u shpreh një prej anëtarëve të jurisë në të dyja rastet Kadareja ka qenë shumë pranë fitores. Por, të dyja herët është mundur nga letërsia ‘non-fiction’”, thotë Dorota. Sipas saj, në Poloni, popullariteti i letërsisë dokumentare me vlera të theksuara artistike është një dukuri intriguese. “Duket se kjo lloj proze përkon me shijet e njohësve më të mirë të letrave të bukura, e përveç kësaj ka dhe avantazhin se “mbështetet në ngjarje reale”. Kjo lloj letërsie ka aftësinë gjithashtu që të dalë përtej fakteve të përshkruara dhe të trajtojë me lartësinë e duhur dhe çështje që janë mbarënjerëzore. Një prej pionierëve të kësaj letërsie ka qenë në Poloni, Ryszard Kapuscinski, i njohur gjithashtu edhe në Shqipëri. Në dy edicionet e tjera të konkursit, edhe pse letërsia non-fiction nuk përfaqësohej, fituan librat krejtësisht artistikë. Supozoj që arsyeja për këtë gjendet dhe te diskutimet e anëtarëve të jurisë për veprat e Kadaresë. Përveç kësaj, në Poloni ekziston edhe një konkurs i veçantë për letërsinë non-fiction dhe në 2011-n, kur “Qorrfermani” u skualifikua, në “Angelus” fitoi një libër gjithashtu në kategorinë e non-fiction. Pra, i njëjti libër mori dy çmime: për fiction dhe non-fiction! Tipar i mjaft konkurseve është se rivalët jo gjithnjë gjenden pranë njëri-tjetrit në kohën e duhur. Por kjo ndodh rëndom nëpër konkurse”, thotë Horodyska. Nën ethet e çmimit “Nobel” që pritet të shpallet javën që vjen, Dorota shpreson që “Angelos” këtë vit t’i jepet shkrimtarit shqiptar, çmim që në një farë mënyre, sipas saj, ai e ka marrë me lexueshmërinë që ka në Poloni.