Millatoviq: Pse Kroacia nuk i hapi çështjet dypalëshe kur Mali i Zi hynte në NATO?
Presidenti Jakov Millatoviq tha në Ohër se kushtëzimi i rrugës evropiane të Malit të Zi me çështjet dypalëshe bie ndesh me rezolutën e vitit 2011 të Parlamentit kroat dhe kërkoi të njëjtin trajtim të drejtë që pati Kroacia kur hyri në BE.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, vlerësoi se Kroacia, duke e kushtëzuar rrugën evropiane të Malit të Zi me zgjidhjen e çështjeve dypalëshe, vepron në kundërshtim me rezolutën që Parlamenti i saj e miratoi në vitin 2011. Ai pyeti pse Zagrebi nuk i ngriti këto çështje si kusht kur Mali i Zi anëtarësohej në NATO, duke kërkuar që Podgorica të ketë të njëjtin trajtim që pati Kroacia gjatë anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian, njofton RTCG.
Millatoviq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas Samitit të liderëve të Procesit Brdo–Brioni në Ohër, tha se Mali i Zi mbetet i përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal dhe përfundimit të negociatave të anëtarësimit me BE-në deri në fund të vitit. Ai kujtoi, siç raporton RTCG, se Parlamenti kroat në vitin 2011 miratoi një rezolutë me të cilën Kroacia u zotua se çështjet e hapura dypalëshe nuk do t’i përdorë për ngadalësimin e integrimeve evropiane të vendeve fqinje.
“Parlamenti kroat në vitin 2011 miratoi rezolutën sipas së cilës Kroacia nuk do t’i përdorë çështjet e hapura dypalëshe për ngadalësimin e integrimeve evropiane të vendeve të rajonit. Kjo që po ndodh aktualisht është në kundërshtim me rezolutën që Parlamenti kroat e miratoi në prag të anëtarësimit të plotë të Kroacisë në Bashkimin Evropian”, tha Millatoviq.
Ai theksoi se Mali i Zi i qaset bisedimeve me palën kroate hapur dhe në mënyrë konstruktive, duke vënë në dukje se Qeveria me vendimin e sotëm iu përgjigj edhe njërit prej tetë kërkesave kroate, me çka, sipas tij, janë zgjidhur tri çështje të hapura. “Kërkojmë të njëjtin trajtim të drejtë që pati Kroacia kur hyri në Bashkimin Evropian. Mendoj se këtë do ta kërkonte çdo vend tjetër në këtë proces. Mali i Zi mbetet i përkushtuar ndaj bisedimeve dhe edhe një herë e ftojmë Kroacinë t’i kthehet qëndrimit që Parlamenti kroat e mbajti në vitin 2011”, porositi presidenti, sipas RTCG-së.
Duke folur për çështjen e demarkacionit, Millatoviq përsëriti se Mali i Zi konsideron se kufiri me Kroacinë duhet të shihet si çështje e plotë, që përfshin tokën dhe detin, dhe njoftoi se Qeveria së shpejti do të paraqesë një propozim për zgjidhjen e tij. “Nëse nuk mund të merremi vesh në mënyrë dypalëshe, mendoj se është e civilizuar të veprojmë ashtu siç zgjidhen çështje të tilla në mbarë botën dhe mosmarrëveshjen ta çojmë para arbitrazhit ndërkombëtar ose gjykatës ndërkombëtare”, tha ai, duke kujtuar se Kroacia u bë anëtare e BE-së pavarësisht çështjes së pazgjidhur kufitare me Slloveninë dhe se më vonë nuk e njohu rezultatin e arbitrazhit ndërkombëtar. Millatoviq theksoi se Mali i Zi nuk pretendon territor kroat, por ka të drejtë t’i mbrojë qëndrimet e tij për demarkacionin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.