Kapet në Rinas 38-vjeçari nga Kosova, u dënua për falsifikim kartëmonedhash në Pejë
Policia e Shtetit njofton vijimin e operacionit ndërkombëtar "The Ëanted": dy persona në kërkim ndërkombëtar u ndaluan në Tiranë dhe në Rinas, për ekstradim në Itali e në Kosovë
Policia e Shtetit ka njoftuar vijimin e operacionit ndërkombëtar të koduar “The Ëanted”, në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet homologe dhe me Drejtorinë e Interpolit. Në kuadër të tij, dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar u ndaluan në Tiranë dhe në Rinas, për llogari të drejtësisë italiane dhe asaj kosovare.
Siç njofton Policia e Shtetit, në Tiranë u arrestua me qëllim ekstradimi në Itali shtetasi E. D., 47 vjeç, i lindur në Kavajë, i kërkuar nga Gjykata e Bolonjës për pjesëmarrje në bashkëpunim kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Ai dyshohet se gjatë vitit 2020 ka organizuar blerjen, transportimin, importimin, magazinimin dhe mbajtjen e sasive të mëdha të marijuanës, hashashit dhe kokainës, me qëllim trafikimin e tyre drejt Italisë.
Në Rinas u ndalua, për t’u ekstraduar në Kosovë, shtetasi kosovar H. K., 38 vjeç. Sipas Policisë së Shtetit, ai është dënuar në vitin 2022 nga Gjykata e Apelit e Pejës me 1 vit e 6 muaj burgim për falsifikim të kartëmonedhave. Sipas raportimit të Klan Kosovës, autoritetet kosovare dyshojnë se gjatë vitit 2021, në bashkëpunim me persona të tjerë, H. K. ka tentuar të hedhë në treg në Pejë rreth 15 mijë dollarë të falsifikuar.
Interpol Tirana, siç bën me dije Policia e Shtetit, vijon bashkëpunimin me homologët në Romë dhe në Kosovë për përfundimin e procedurave ligjore dhe për ekstradimin e dy shtetasve.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.