Karamuço: Prifti si mbulesë për paratë, grupi u ekspozua pas vrasjes për “sedër” të italianit
I ftuar në “Now me Erla Mëhillin”, eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço dha detaje në lidhje me operacionin e përbashkët mes autoriteteve italiane dhe SPAK, që çoi në goditjen e një grupi kriminal italo-shqiptar dhe zbardhjen e një skeme të gjerë të pastrimit të parave.
Në analizën e tij, Karamuço tha se “Italia e ka në Kodin Penal mënyrën e vrasjes mafioze, duke nënvizuar se mënyra e ekzekutimit ndikoi në përfshirjen e strukturave antimafia në hetimin për vrasjen e një personi nga ky grup.
Eksperti theksoi se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një krim tipik me origjinë shqiptare, pasi shumica e të përfshirëve në vrasje janë shtetas italianë.
Sipas Karamuços, grupi vepronte në nivele të ndërmjetme të trafikut të drogës, por ra në sy për shkak të përfshirjes në një vrasje të stilit mafioz ndërsa më pas u zbulua dhe mënyra e pastrimit të parave përmes një skeme të kamufluar.
“Para se të ndodhte vrasja, ata kishin ndërtuar një kamuflim shumë të sofistikuar. Kishin gjetur një prift për të mbuluar me një tis bamirësie të gjithë kanalet financiare të pastrimit të parave”, deklaroi Karamuço.
Ai theksoi se prifti ishte përdorur si prestanome për qarkullimin e parave të disa grupeve kriminale, të cilat më pas investoheshin dhe transferoheshin drejt Shqipërisë.
“Nuk ishin vetëm paratë e këtij grupi, por edhe të disa organizatave të tjera kriminale. Përmes këtij kanali ato vinin në Shqipëri dhe maskoheshin si aktivitete bamirësie apo investime të ligjshme”, tha ai.
Sipas tij, skema u godit pas vrasjes së Diviestit, kur autoritetet italiane aktivizuan përgjime të avancuara dhe hetim të thelluar.
“Italia e ka në Kodin Penal mënyrën e vrasjes mafioze, ndërsa ne nuk e kemi një përcaktim të tillë. Me prokurorin Vladimir Mara është krijuar një bashkëpunim i jashtëzakonshëm dhe ky është grupi i gjashtë i përbashkët hetimor. Çfarë ka ndodhur në këtë operacion? Nuk kemi të bëjmë me një krim tipik shqiptar, sepse nuk mund të themi se është krim me origjinë shqiptare. Shumica e personave të përfshirë në vrasje, siç u përmend edhe nga gazetari, janë pesë italianë dhe vetëm një shqiptar. Pjesa tjetër e shqiptarëve kanë mbi 25 vite në Itali dhe shumë pak prej tyre kanë lidhje direkte me Shqipërinë. Ata bashkëpunojnë në Itali me Sacra Corona Unita-n dhe celula të tjera në zonën e Barlettës, Foggias dhe rrethinave, në nivele mesatare të trafikut të drogës, jo në nivelet më të larta. Por kanë rënë në sy për një arsye: ndodhen në një zonë shumë të kontrolluar nga organizata të fuqishme kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës. Në këto territore nuk duhet të biesh në sy duke marrë përsipër vrasje, si në rastin e përfaqësuesit lokal politik italian, ku bashkëshortja e tij kishte ofruar para për ta vrarë por që atentati dështimio. Për arsye sedre dhe mosbindjeje, u ekzekutua një shpërndarës që ishte edhe parukier. Ata kanë ndërtuar një kamuflim, ku kishin përdorur një prift për ta mbuluar me një fasadë bamirësie të gjithë skemën e pastrimit të parave. Ky ishte një prestanome, dhe nuk bëhej fjalë vetëm për paratë e këtij grupi, por edhe për para të disa grupeve të tjera kriminale. Përmes këtij kanali, paratë kanalizoheshin dhe maskoheshin si aktivitete të ligjshme për t’u sjellë më pas në Shqipëri. Por gjithçka ndryshoi kur ndodhi vrasja, e cila ishte e stilit mafioz, dhe për këtë arsye u vendosën në përgjim. Ata kanë sisteme shumë të avancuara dhe të sofistikuara, ku kanë investuar jashtëzakonisht shumë, dhe praktikisht nuk u shpëton asgjë nga komunikimet. Për shkak të stilit mafioz të ngjarjes, nuk u përfshi prokuroria e Barit, por antimafia, e cila solli prova dhe konkludoi se nuk bëhej fjalë vetëm për vrasje, por edhe për aktivitet të vazhdueshëm të pastrimit të produkteve të veprës penale. Më pas, italianët trokitën në SPAK, te prokurori Vladimir Mara, si pjesë e skuadrës së përbashkët, për të verifikuar dhe gjurmuar lëvizjet e parave. Një pjesë e tyre është zbardhur, disa janë ngrirë dhe investuar, ndërsa një pjesë tjetër ndodhet në Itali, por grupi është shumë më i madh dhe hetimet pritet të zgjerohen. Policia ka kryer ekzekutimet e masave. Nuk kemi të bëjmë me një grup shumë të rëndësishëm në hierarki, por me ekzistencën e grupeve të tjera shumë më të fuqishme dhe me linja financiare shumë më të mëdha që pastrojnë para në Shqipëri, madje në mes të ditës. Ky është një rast që tregon se hetimet duhet të shkojnë deri në fund. Pyetja është nëse do të shkohet deri në fund edhe për raste të tjera flagrante, sidomos në bregdet, ku këto skema vijojnë të ekzistojnë. Ajo që dihet është se ka hetime serioze dhe skuadra të përbashkëta që po punojnë për pastrimin e parave në Shqipëri”, tha Karamuço.
Kujtojmë që operacioni është fokusuar në hetimin e vrasjes së Francesco Diviesti, ngjarje e ndodhur më 25 prill 2025 në Canosa di Puglia, si dhe në aktivitetin e një organizate kriminale me bazë në Tiranë, e dyshuar për trafik droge dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Në kuadër të hetimeve janë lëshuar 15 masa sigurie, 10 nga Gjykata e Posaçme në Shqipëri dhe 5 nga autoritetet italiane, ndaj 11 shtetasve shqiptarë dhe 4 italianëve. Sipas dosjes hetimore, tre persona dyshohet se kanë qenë ekzekutorët e drejtpërdrejtë të vrasjes së Diviesti-t, ndërsa dy shtetas italianë akuzohen për ndihmë në fshehjen e gjurmëve të krimit.
Hetuesit kanë zbuluar se viktima fillimisht është përfshirë në një konflikt në një lokal në Barletta dhe më pas është transportuar në një zonë të izoluar në Murgia, ku është qëlluar me armë zjarri. Më pas, sipas autoriteteve, trupi i tij është djegur në përpjekje për të asgjësuar provat.
Autoritetet italiane kanë theksuar se mënyra e ekzekutimit ngjan me metodat e përdorura nga organizatat mafioze në vitet ’90 në rajon, çka ka bërë që çështja të trajtohet nga Prokuroria Antimafia.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.