Karamuço: Prokuroria e di çfarë ka ndodhur me Erjon Vishkullin, duhet të informojë publikun
I ftuar në “Now me Erla Mëhillin”, eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço foli për plagosjen e Erjon Vishkullit në sy gjatë protestës, duke theksuar se Prokuroria duhet të jetë më transparente dhe të informojë publikun për ecurinë e hetimeve.
Karamuço u se Prokuroria e di se çfarë ka ndodhur me 28-vjeçarin, duke theksuar se para sekuestrimit të kamerave dhe armëve, hetuesit kanë pasur mundësi të shohin pamjet dhe të kryejnë matjet e përllogaritjet.
Ai tha gjithashtu se Prokuroria disponon të dhëna paraprake të siguruara në rrugë operative nga Italia, të cilat duhet të përcillen përmes letërporosisë që të mund të përdoren si prova të ligjshme në hetim.
“Di të të them me përgjegjësi që aktualisht prokurori e di se çfarë ka ndodhur. E di, sepse para se të sekuestronte kamerat, i ka parë bashkë me OPGJ-të. E di sepse para se të sekuestronte armët, e di se ku ka qenë personi i pozicionuar. Bëhen matjet, bëhen përllogaritjet, trajektorja, goditja që ka pësuar e të tjera. E di këtë edhe për shkak të rezultateve paraprake të operacionit që ka ndodhur në Itali, ku në rrugë operative kanë ardhur të dhënat, por duhet të vijnë me letërporosi që të jenë prova të ligjshme dhe t’i shërbejnë hetimit. Aktualisht ka një fabul që bazohet në të gjitha këto informacione të marra në rrugë operative, por janë paraprake të hetimit. Këto informacione duhet të bëhen publike. Prokuroria duhet të jetë më transparente dhe të informojë opinionin publik për një çështje kaq të rëndësishme dhe të rëndë që ka ndodhur. Na mungon një element shumë i rëndësishëm, të cilin mundohemi t’ia vëmë përpara ekzekutivit si presion, por që duhet ta kërkojmë edhe nga organet ligjzbatuese dhe ato të akuzës: transparenca. Po t’i referohemi sistemit amerikan, ata kanë një praktikë që quhet public update, sidomos për çështje shumë sensitive, siç është rasti i këtij djali dhe rreziku për të humbur shikimin. Prokurori i çështjes, prokurori i rrethit, Prokurori i Përgjithshëm ose një zëdhënës i institucionit të akuzës duhet të dilte dhe të informonte publikun mbi veprimet që po kryhen dhe gjetjet aktuale, për aq sa këto informacione nuk dëmtojnë hetimin”, tha ai.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.