Karl Jenkins, një kompozim për Kosovën
“Njeriu me armë: Meshë për paqen”, vepra që kompozitori i njohur britanik u kushtoi viktimave të luftës në Kosovë, sot ngjitet në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit
Karl Jenkins do të kalonte kohë mbi partitura për të ngjizur në to përmes notash luftën. Për një burrë të rritur në Uells, lufta ishte një tablo, të cilën e kishte parë vetëm në filma apo lexuar në libra. Kur Muzeu Mbretëror i Armëve i kërkoi të kompozonte një pjesë dedikuar viktimave të luftës në Kosovë, në mendje ai projektoi dhembjen. Nuk mund të ketë përkufizim tjetër për luftën sesa diçka që thyhet thellë në shpirt dhe dhemb. Për muaj të tërë Jenkins, një prej kompozitorëve të njohur britanikë, hulumtoi për të kuptuar shpirtin e një populli që historikisht kishte vuajtur në emër të lirisë. Lufta ishte një nga ngjarjet më tronditëse të kësaj historie, të cilën ai do ta krijonte si në një tablo, në partiturë. “Njeriu me armë: Meshë për paqe” e titulloi pjesën që më 25 prill të vitit 2000 do të kishte premierën në “Albert Hall”, interpretuar nga Kori Kombëtar i të Rinjve të Britanisë së Madhe dhe Orkestra Simfonike Kombëtare e Muzikantëve, me Julian Lloyd Webber si solist në violonçel dhe e dirigjuar nga Grant Llewellyn. Më pas, vepra do të interpretohej në Teatrin e Operës së Kosovës dhe do të qarkullonte si CD si një nga pjesët që mbart brenda dhembjen e kurajën për të ardhmen e një populli. Sot në darkë, vepra e njohur e Jenkins do të ngjitet në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, nga kori dhe orkestra simfonike e Filarmonisë së Kosovës, nën interpretimin e solistëve Besa Llugiqi, Liridon Sadriu dhe Safet Berisha. Nën dirigjimin e Baki Jasharit, muzika e Jenkins pritet të emocionojë përmes tingujve që të kujtojnë një kohë të trishtë në historinë e Kosovës. Jenkins i ka dhënë veprës konceptin antiluftë dhe e vendos historinë në një meshë katolike, duke e kombinuar me tekste të tjera historike, siç është kënga popullore “Njeriu me armë”. Përveç pjesëve nga mesha e zakonshme, teksti ka edhe fjalë nga burime të tjera historike dhe fetare, përfshirë lutje islame, fjalë nga Bibla dhe ngaMahabharata (poemë epike indiane). Dhe pse një vepër e konceptuar në formën e një meshe, muzika e Jenkins të trondit. Rreziku dhe frika e të jetuarit në një situatë luftë, dhembja e gjatë e njerëzve që e përjetojnë këtë, ndihet në tonet e notave që ai i ka dhënë veprës. Në 13 kohët e veprës duket sikur ndjek rrugëtimin që ka bërë lufta në Kosovë, duke u mbyllur me shpresën për paqe në mijëvjeçarin e ri, ku “pikëllimi, dhembja dhe vdekja do të mposhten”. Vepra e Jenkins do të dirigjohet nga Baki Jashari, një prej artistëve më të mirë të Kosovës dhe do të interpretohet nga Orkestra e Filarmonisë së Kosovës, e cila u krijua vetëm një vit pas luftës. Në 15-vjetorin e Filarmonisë së Kosovës, Karl Jenkins, vizitoi Kosovën, ku u nderua me Medaljen Presidenciale të Meritave nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.