Katalonja shpall Pavarësinë, Madridi vendos kontrollin
Kriza e thellë në Spanjë hyn në territore të paeksploruara. Parlamenti katalanas shpalli njëanshmërisht Pavarësinë nga Madridi, pas një votimi të fshehtë që përfundoi me 70 vota pro e 10 kundër.
Pas njoftimi të rezultatit të votimit, deputetët kënduan himnin kombëtar “Els Segadors”, i ndekur më pas nga thirrjet “Rroftë Republika” apo “Liri”. Flamuri spanjoll u hoq nga Parlamenti dhe mijëra njerëz shpërthyen në festë nëpër rrugët e Barcelonës.
Pak minuta pas votimit në Parlamentin rajonal, Senati spanjoll ndërmori hapin e paprecedentë të aprovimit të masave, që do të lejojnë qeverinë e Madridit të marrë kontrollin e Katalonjës: 214 u shprehën pro dhe 47 kundër.
Shpalljen e Pavarësisë së Katalonjës, kryeministri Mariano Rajoy e cilësoi një akt kriminal e të kundërligjshëm. Ai ftoi spanjollët të ruajnë qetësinë.
“Qeveria do të marrë të gjitha masat për të rikthyer ligjshmërinë në Katalonjë. Spanja është një komb i madh dhe një shtet serioz. Ne nuk do të tolerojmë që pak njerëz të përpiqen të likuidojnë Kushtetutën tonë”, tha Mariano Rajoy, kryeministër i Spanjës.
Menjëherë më pas, Rajoy mblodhi Këshillin e Ministrave për të diskutuar mbi shkarkimin e presidentit katalanas, Carles Puigdemont e të ministrave të tij, si dhe rikthimin e rendit kushtetues në rajon.
Më herët gjatë së premtes, kryeministri u kërkoi senatorëve të aprovonin aktivizimin e nenit 155, që parashikon vendosjen e sundimit direkt në Katalonjë e marrjen e kontrollit të policisë, financave e televizionit publik. Një zëdhënës i Komisionit Europian tha në një reagim se qëndrimi i tyre mbetet i njëjtë, kundër shkëputjes së Katalonjës. Kundër doli edhe Britania e Madhe, që ka një problem të ngjashëm me Skocinë.