Katari: Hormuzi duhet të mbetet i hapur, siguria e lundrimit është përparësi kryesore
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, tha se Doha po punon me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe Iranin, për uljen e tensioneve dhe mbajtjen hapur të Ngushticës së Hormuzit.
Katari po punon me partnerët e tij rajonalë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Iranin, për të ulur tensionet dhe për ta mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, siç njofton Al Jazeera.
Al-Ansari, këshilltar i kryeministrit dhe zëdhënës zyrtar i ministrisë, paralajmëroi se çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund ta përkeqësojë situatën humanitare dhe ta zgjasë konfliktin. Ai tha se Doha po përpiqet të hapë kanale komunikimi mes palëve dhe të krijojë kushte për uljen e tensioneve.
Sipas zëdhënësit, Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur për lundrimin tregtar dhe siguria e lundrimit në të është përparësi kryesore. Katari, tha ai, po punon me partnerët për ta garantuar këtë, në një kohë kur ngushtica, nga e cila kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit botëror, mbetet në qendër të përballjes mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Al-Ansari shprehu keqardhje për mbylljen e negociatave dhe për ngërçin aktual, duke nënvizuar nevojën për ulje të tensioneve. Deklarata vjen ndërsa ndërmjetësuesit po diskutojnë propozime për rihapjen e ngushticës dhe ndërsa palët ende nuk kanë rënë dakord për një plan paqeje.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.