Kërcënimet ndaj Barron Trump, shërbimet sekrete nisin hetimet
Shërbimet sekrete amerikane kanë konfirmuar nisjen e hetimeve mbi videon e transmetuar nga media shtetërore iraniane, ku kërcënohet me jetë djali i vogël i presidentit Donald Trump, Barron.
“Shërbimi Sekret amerikan është në dijeni të videos dhe heton çdo gjë që mund të perceptohet si një kërcënim ndaj personave që mbron”, deklaroi zëdhënësi Nate Herring.
Por ai shtoi se për shkak të rëndësisë, agjencia që kujdeset për sigurinë e zyrtarëve amerikanë nuk mund të bëjë publike të dhënat hetimore.
Më herët gjatë javës, televizioni shtetëror iranian transmetoi një video ku pretendonte se po gjurmonte lëvizjet e Barron Trump dhe ofronte një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kokën e tij.
Që nga vdekja e Ajatollah Ali Khamenei në sulmet amerikano-izraelite më 28 shkurt, media shtetërore e Republikës Islamike ka publikuar një seri materialesh me përmbajtje kërcënuese ndaj anëtarëve të familjes Trump.
Vetë shërbimi sekret është përballur me një seri kontrollesh pasi Trump ka qenë objektiv i të paktën tre komploteve për vrasje që nga rimarrja e detyrës.
Një tjetër incident ishte edhe ai në përfundim të samitit të NATO-s në Turqi, kur Trump u detyrua të ndërronte “Air Force One” me një avion tjetër, për shkak të rrezikut nga një atentat iranian në dëm të tij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.