Këshilli i BE-së miraton deklarimin elektronik për punëtorët e dërguar, një formular i vetëm online në vend të 27 sistemeve
Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi të enjten një rregullore që lehtëson deklarimin e punëtorëve të dërguar përmes një procedure online, duke ulur ndjeshëm barrën administrative dhe kostot për kompanitë që caktojnë përkohësisht staf në një shtet tjetër anëtar, siç njofton Këshilli i BE-së në komunikatën e tij.
Nisma është pjesë e udhërrëfyesit “Një Evropë, një treg” (One Europe, One Market), i miratuar nga udhëheqësit e BE-së për të forcuar konkurrueshmërinë e Evropës, dhe synon ta lehtësojë lirinë e ofrimit të shërbimeve në tregun e vetëm, duke mbrojtur njëkohësisht të drejtat e punëtorëve të dërguar. “Kjo është Evropa që heq burokracinë aty ku ka rëndësi. Dërgimi i punëtorëve përtej kufijve nuk duhet të nënkuptojë 27 sisteme të ndryshme dhe letra pa fund”, tha ministri irlandez i Ndërmarrjeve, Turizmit dhe Punësimit, Peter Burke.
Komisioni Evropian do të ngrejë një ndërfaqe publike shumëgjuhëshe me një formular standard deklarimi online, të bazuar në kërkesa të përbashkëta informacioni. Ajo do të mbulojë punëtorët e dërguar përkohësisht në një shtet tjetër anëtar sipas direktivës së BE-së për punëtorët e dërguar, si edhe punëtorët që ofruesit e shërbimeve nga vendet e treta i dërgojnë përkohësisht në BE.
Përmes platformës së re, kompanitë do të mund të ngarkojnë drejtpërdrejt dokumentet mbështetëse, në vend të procedurave të veçanta kombëtare; sistemi do të mbështesë edhe verifikimin e të dhënave dhe komunikimin mes kompanive dhe autoriteteve kombëtare, ndërsa vetë punëtorët e dërguar do të kenë qasje në kopje elektronike të deklarimeve të tyre, në përputhje me rregullat e mbrojtjes së të dhënave. Përdorimi i sistemit do të mbetet vullnetar për shtetet anëtare, të cilat mund ta përdorin në vend të sistemeve të tyre kombëtare.
Sipas Këshillit, në BE kryhen rreth 3,6 milionë dërgime punëtorësh çdo vit; sistemi i ri mund ta ulë kohën e plotësimit të deklarimeve me 73 për qind dhe kostot e përputhshmërisë me 58 për qind edhe nëse marrin pjesë vetëm disa shtete anëtare, ndërsa nëse marrin pjesë të 27 vendet, barra administrative mund të ulet deri në 81 për qind. Akti ligjor hyn në fuqi tre muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.