Këshilli i Evropës: Rusia rifiton të drejtën e votës në Asamblenë Parlamentare
Kjo i kthen të drejtat delegacionit rus, sikurse ishte kërkuar më parë nga Moska. Nëse Moskës i mjaftojnë këto lëshime, atëherë deputetët rusë mund të kthehen qysh të martën në Strasburg për të marrë pjesë në votimin e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të Organizatës të mërkurën.
Bojkot për shkak të aneksimit të Krimesë
Deputetët rusë i bojkotojnë punimet e Asamblesë Parlamentare të KE-së qysh prej prillit 2014, kur atyre iu hoq e drejta e votës, për shkak të aneksimit të Krimesë ukrainase nga ana e Rusisë. Ata u përjashtuan edhe nga postet e larta në Asamble si edhe nga disa misione, si për shembull vëzhgimi i zgjedhjeve. Në qershor 2017 Moska i pezulloi pagesat e kuotës së anëtarësisë që janë rreth 33 milionë euro në vit duke e pakësuar kështu buxhetin e KE-së me 9 për qind.
Këshilli i Evropës me seli në Strasburg të Francës është organizata më e madhe e shteteve të kontinentit Evropian. Ai është krijuar në vitin 1949, katër vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, dhe sot numëron 47 anëtarë. Aty bëjnë pjesë të gjitha shtetet e Evropës, me përjashtim të Kosovës dhe Bjellorusisë. Kjo e fundit është kandidate anëtarësimi. Rusia është anëtare prej vitit 1996.
Asambleja Parlamentare e KE-së përbëhet nga 318 delegatë dhe mblidhet katër herë në vit në Strasburg. Së bashku me Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut ajo përkujdeset për 830 milionë shtetasit e vendeve anëtare./DW/