Këshilli i Integrimit Europian, Balla: Shqipëria në fazën finale të integrimit, jemi në përputhje 100% me politikën e jashtme të BE
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, deklaroi se integrimi europian mbetet objektiv strategjik dhe aspiratë historike e shqiptarëve, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian. Balla theksoi se procesi i integrimit nuk është “pronë e një shumice apo e një qeverie”, por një synim kombëtar që mbështetet gjerësisht nga qytetarët shqiptarë.
“Integrimi europian nuk është pronë e një shumice e qeverie, por aspiratë historike e shqiptarëve dhe objektiv strategjik i Shqipërisë. Këtë e konfirmon mbështetja e gjerë publike. I referohem Barometrit mbi Zgjerimin të publikuar nga Komisioni Europian në vitin 2025, ku është gjetur se 91% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, u shpreh Balla.
Sipas tij, Shqipëria mbetet një nga vendet me mbështetjen më të lartë për integrimin në Bashkimin Europian.
“Ndoshta jemi i vetmi vend që nuk kemi pasur plan B, por vetëm planin A të anëtarësimit në BE”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij, Balla u ndal edhe te progresi i Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Europian dhe te draft-rezoluta e Parlamentit Europian, e cila pritet të miratohet në mesin e muajit qershor.
“Parlamenti Europian çdo vit miraton një rezolutë mbi gjetjet e raportit të Komisionit Europian. Pas një pune të shkëlqyer të raporterëve, është miratuar një dokument që mori votat e 58 eurodeputetëve dhe që përmban sinjale të qarta politike dhe institucionale”, tha Balla.
Ai nënvizoi se në dokument pasqyrohet progresi i Shqipërisë dhe ambicia për të përmbyllur negociatat brenda Krishtlindjeve të vitit të ardhshëm.
“Ajo që bie në sy është ambicia e përbashkët për të mbyllur negociatat brenda Krishtlindjeve të vitit të ardhshëm”, deklaroi kreu i grupit socialist.Balla tha se Shqipëria tashmë po vlerësohet mbi bazën e rezultateve konkrete dhe jo më mbi pritshmëritë.
“Sot kemi hyrë në një fazë të re. Shqipëria nuk matet më me premtime, por me fakte. Nuk po gjykohemi nga pritshmëritë, por nga puna e bërë”, u shpreh ai.
Në fund, ai vuri theksin te përputhja e plotë e politikës së jashtme të Shqipërisë me atë të Bashkimit Europian. “Ky dokument e bën të qartë se Shqipëria ka një orientim të qartë strategjik drejt anëtarësimit në BE dhe ka demonstruar përputhje të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Jemi vendi që kemi 100% të përafruar politikën e jashtme me Bashkimin Europian”, përfundoi Taulant Balla.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.