Këshilli i Ministrave miraton pr/ligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit
Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën projektligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit.
Demokratët kishin kërkuar të enjten e kaluar në Parlament që dokumenti i Byrosë Kombëtare të Hetimit të kalonte nga Qeveria më parë dhe projektligji të vijë në Kuvend si propozim i ekzekutivit.
Kur bënë këtë kërkesë, opozitarët sqaruan se drafti për të cilin flasin është ai i hartuar që në muajin tetor nga OPDAT dhe Ministria e Brendshme, me mbikëqyrjen amerikane, sipas PD.
Demokratët i ndanë qëndrimet brenda mazhorancës, ku sipas tyre, LSI është dakort me variantin e mbështetur nga PD.
“Për këtë draft edhe LSI përmes përfaqësuesve të saj ka qenë dakort. Atëherë ku ngelet puna?! Që në tetor, pse nuk miratohet drafti?! Nga tetori deri më sot përse nuk ka kaluar drafti në Qeveri? Përse nuk miratohet në Qeveri”, deklaroi deputeti Eduard Halimi.
Ilir Meta, që foli për herë të parë për çështjen, nuk i kundërshtoi demokratët, por vetëm i këshilloi.
“Atë variant për të cilin Partia Demokratike është dakort ajo mund të depozitojë në Kuvend dhe ai variant mund të ndjekë rrugën sipas procedurave parlamentare dhe ne do ta ndjekim me përparësi, besoj”, tha Meta.
Duke folur për herë të parë lidhur me debatin për kohen e miratimit të këtij projektligji, kryeministri Edi Rama la të kuptohet se gjithçka tashmë është në varësi të reformës në drejtësi dhe draftit final të saj.
“Komisioni i Reformës le të diskutojë dhe le të thotë fjalën e tij. Në momentin që Komisioni i Reformës thotë që ky dokument nuk e cënon Kushtetutën, të jeni të sigurtë fare se do të votohet pa as më të voglin ngurrim”, tha Rama.