KINEMA – Aktori gjerman August Diehl do të nderohet me çmimin e filmit “Europa”
KASEL, 22 tetor /ATSH-DPA/- Aktori gjerman August Diehl, i njohur ndërkombëtarisht për rolin e tij në filmin e Quentin Tarantinos, “Inglourious Basterds”, do të nderohet me çmimin e filmit “Europa”.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Braunschweig njoftoi sot se aktori 50-vjeçar do të marrë këtë çmim, si vlerësim për kontributin e tij si një nga aktorët më të njohur gjermanë të roleve karakteristike në skenën ndërkombëtare.
Çmimi ka vlerën prej 25 mijë eurosh dhe është më i larti në vlerë monetare që jep ky festival. Diehl do ta marrë atë më 14 nëntor, gjatë zhvillimit të festivalit.
Në njoftimin e tij, festivali theksoi se Diehl është një aktor që spikat si në prodhimet e mëdha të Hollivudit, ashtu edhe në filmat artistikë më të veçantë.
Ajo që e bën veçanërisht të spikatur karrierën e tij, është larmia e roleve që ka interpretuar.
Ai ka luajtur një oficer të SS-së naziste në filmin “Inglourious Basterds”, luftëtarin e rezistencës Franz Jagerstätter, si dhe figura historike si Karl Marksi dhe Vladimir Lenini.
August Diehl lindi në Berlin në vitin 1976 dhe debutoi në film në vitin 1998, me filmin “23”.
Ai u bë i njohur ndërkombëtarisht në vitin 2009, falë rolit të tij në filmin e Tarantinos.
Përveç këtij filmi, në vitin 2010 ai luajti edhe në filmin “Salt”, së bashku me Angelina Jolie, ndërsa në vitin 2021 u shfaq në “The King’s Man – The Beginning”, ku interpretonin edhe Ralph Fiennes, Daniel Brühl dhe Stanley Tucci.
Diehl është aktiv edhe në teatër. Gjatë Festivalit të Filmit në Braunschweig do të shfaqet gjithashtu një përzgjedhje e filmave ku ai ka luajtur. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.