KLSH kallëzon në Prokurori kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar
Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në Prokurori drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar për të cilin pas auditimeve të ushtruara rezulton se i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm që arrin në rreth 634 milionë lekë ose 4,5 milionë euro.
“Nga auditimi rezultoi se institucioni reflekton një nivel të ulët përgjegjshmërie me pasoja negative në efektivitetin e përdorimit të fondeve buxhetore në këtë sektor strategjik. Dëmi i konstatuar arrin në rreth 634 milionë lekë, dëm i ardhur kryesisht nga mungesa e supervizimit gjatë zbatimit të projekteve në infrastrukturën rrugore. Fakt ky, që sjell në vëmendje nevojën për ndërhyrje në drejtim të forcimit të kontrollit në zbatimin e punimeve, duke eleminuar procedurat formale të vërejtura deri tani në realizimin e shërbimit të supervizimit”, thuhet në njoftimin për shtyp shërndarë nga KLSH-ja.
Për të gjitha shkeljet e konstatuara në raportin përfundimtar të Auditimit, KLSH ka kërkuar dhënien e masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil” për 10 nëpunës të ARRSH-së, në varësi të përgjegjësive të evidentuara.
KLSH ka adresuar të gjitha problematikat e konstatuara, pranë Kryetarit të Këshillit të Ministrave, duke i kërkuar njëkohësisht të fillojë procedurat për dhënien e masës disiplinore “shkarkim nga detyra” për Dashamir Xhikën për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi, sidomos në fushën e prokurimeve dhe zbatimin e kontratave të infrastrukturës rrugore.
Gjithashtu, në përfundim të këtij auditimi KLSH, i është drejtuar Autoritetit të Konkurencës, për të hetuar lidhur me ekzistencën ose jo të marrveshjeve të ndaluara në procedurat e prokurimit publik, për objektet e sinjalistikës rrugore, ku konstatohet se konkurruesit ndjekin parimin e “rotacionit” në të qenit fitues. Një rotacion i tillë, ka sjellë që diferenca në vlerë nga oferta në ofertë dhe në fondin limit të jetë e papërfillshme.
Në lidhje me shkeljet e konstatuara në prokurimin me objekt “studim, projektim zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës” në të cilin u konstatua një rritje artificiale e fondit limit, në vlerën prej 100,001,686 lekë, përfituar padrejtësisht nga operatori ekonomik fitues i prokurimit, si dhe shkeljet e konstatuara në lidhje me favorizimin e qëllimshëm të subjekteve private të kontraktuara për ndërtimin e rrugës by pass Plepa – Kavajë – Rrogozhinë (lotet 4 deri 11), KLSH i ka përcjellë organit të Prokurorisë, kallëzim penal për D.Xh, Drejtor i Përgjithshëm i ARRSH dhe pesë nëpunës të tjerë të këtij institucioni Th.Xh, N.M, A.A, D.Sh dhe D.G për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.