Kodi Penal duhet të ndryshojë nenin që ka krijuar Republikën e Prokurorëve
Nga Mero Baze
Përpjekja për disa ndryshime ligjore në Kodin Penal, rreth zbutjes së klimës së represionit që krijohet me paraburgimet dhe injorimin e të drejtave themelore të njeriut nga prokuroria në shumë raste, është një zhvillim pozitiv që ka ngjallur deri tani shqetësim vetëm te shoqata e prokurorëve. Ndoshta do të ketë edhe reagime të tjera më vonë, por reagimi i parë ka shumë rëndësi, pasi kupton kush ndihet i cenuar nga projektligji.
Premisat mbi të cilat janë arsyetuar ndryshimet kanë të bëjnë me statistika të rënda për paraburgimet në Shqipëri, duke kryesuar për përdorimin e paraburgimit, mbi dy herë e gjysmë mbi mesataren evropiane, sipas raportit SPACE të Këshillit të Evropës. Kohëzgjatja mesatare e paraburgimit te ne është 253 ditë në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm dhe 616 ditë në Gjykatën e Posaçme, ndërsa mesatarja në Bashkimin Evropian është rreth 155 ditë.
Akoma më problem janë sjelljet në procesin e hetimit, torturimi psikologjik dhe shantazhet në dhomat e prokurorëve pa kamera, që përfundojnë në prodhim dëshmitarësh të frikësuar. Një sërë skandalesh kanë ndodhur me sekuestrimin e një pajisjeje elektronike, telefonave apo kompjuterëve, duke e barazuar të drejtën e sekuestrimit me të drejtën e leximit të gjithçkaje, pa u autorizuar nga gjykata. Prokurorët tanë dalin për gjah në kompjuterët dhe telefonat që sekuestrojnë, duke kërkuar aty jo për veprën penale që hetohet, por për të gjetur ndonjë gjë tjetër, duke e kthyer hetimin në një proces linçues ndaj një njeriu që kanë vendosur paraprakisht ta dënojnë.
E gjithë kjo ka krijuar një klimë represioni në vend, sidomos pas reformës në drejtësi, kur SPAK-ut i janë dhënë superkompetenca dhe superpushtet mbi gjithë sistemin e drejtësisë, për shkak të një neni fatal që u lejon atyre të kontrollojnë pa autorizim gjyqtarët dhe prokurorët në sistemin e SPAK-ut dhe GJKKO-së. Ky nen dhe përndjekja që prokurorë të veçantë të SPAK-ut u bëjnë të akuzuarve të tyre, duke kërcënuar dhe shantazhuar gjyqtarët që kanë çështjen e tyre, është një nga pasojat më të rënda të Reformës në Drejtësi në Shqipëri.
Shqipëria mund të jetë i vetmi vend në botë ku gjyqtarët e frikësuar nga SPAK-u ose adhurues të superpushtetit të tyre tejkalojnë edhe kërkesat e SPAK-ut në seanca paraprake, duke kërkuar edhe hetime të tjera, si për të treguar që janë ose të frikësuar prej tyre, ose në garë me ata se kush të shkelë sa më shumë me këmbë dinjitetin e një qytetari të akuzuar.
Prandaj, kur Ministria e Drejtësisë apo Kuvendi argumenton se përse duhen bërë këto ndryshime në Kodin Penal, nuk duhet të mbështeten vetëm te statistikat, që janë thuajse kriminale në raport me Evropën dhe botën, por te shkaku i atyre statistikave. SPAK-ut duhet t’i hiqet një orë e më parë e drejta për përgjime të kolegëve të tij dhe gjyqtarëve të GJKKO-së. Kjo jo se më vjen keq për ata që përgjohen, por se ka prova tanimë të mjaftueshme që SPAK-u dhe drejtuesit e tij nuk përgjojnë për të hetuar kolegët, por për t’i shantazhuar ata.
Ka prova të qarta që SPAK-u, në dosjen “Toyota Yaris”, ka të përfshirë gjyqtarë të GJKKO-së dhe prokurorë të implikuar dhe i përdor ata nën shantazh për të marrë vendime që u interesojnë atyre. Ka prova tanimë publike që SPAK-u ka regjistrime të papërshtatshme për gjyqtarë apo prokurorë në takime me elementë të inkriminuar, por nuk vepron ndaj tyre, por parapëlqen t’i përdorë në procese politike për t’u ruajtur nderin prokurorëve që në fillim caktojnë kë do të dënojnë, pastaj të gjejnë prova rrugës.
Ndaj, jo vetëm që kjo lodër u duhet hequr nga duart, por edhe duhet të hetohen se, sa e kanë pasur në dorë, përse e kanë përdorur.
E gjithë kjo klimë represioni, i gjithë ky kufi i shkrirë mes pretencës dhe vendimit të gjykatës, vjen nga fakti që Republika e Prokurorëve ka gjithë pushtetin brenda Republikës së Drejtësisë dhe gjithë të tjerët janë ushtarë të tyre. Në të vërtetë, i dhamë drejtësisë pavarësinë e plotë, por, po në të njëjtën kohë, duhet t’i japim Republikës së Drejtësisë edhe të drejta të barabarta në raport me njëri-tjetrin.
E gjithë kjo statistikë e tmerrshme që kemi e ka burimin pikërisht te superpushteti, që nuk di se si e kanë justifikuar kur e kanë shkruar hartuesit e reformës. Por, meqë po vini dorë te ligji, fillojeni nga problemi, jo nga pasojat.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.