KOMENT – Bota drejt ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijët
PARIS, 21 korrik /ATSH-AFP/ – Ligjvënësit në Francë pritet të votojnë sot për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, duke e bërë vendin një nga 20 shtetet në mbarë botën që kanë propozuar ose kanë vendosur masa të tilla.
Pesë prej këtyre vendeve i kanë tashmë kufizimet në fuqi.
Ja si paraqitet situata në vende të ndryshme:
Kufizimet në fuqi
Rrjetet sociale janë ndaluar për personat nën 16 vjeç në Australi që nga dhjetori i vitit 2025.
Brazili miratoi në mars një ligj që detyron platformat të lidhin llogaritë e përdoruesve nën 16 vjeç me ato të prindërve të tyre, si dhe të verifikojnë moshën e përdoruesve.
Në Kinë, ku interneti kontrollohet rreptësisht nga shteti, qasja e të miturve në rrjetet sociale është kufizuar në mënyrë graduale që nga viti 2019.
Masat e para vendosën kufizime kohore dhe orare ndalimi për lojërat online, përpara se kufizime të ngjashme të zgjeroheshin në vitin 2023 edhe për rrjetet sociale dhe platformat e transmetimit.
Indonezia ka ndaluar rrjetet sociale për personat nën 16 vjeç që nga muaji mars.
Malajzia ka ndjekur një qasje të ngjashme, me legjislacionin që hyri në fuqi në qershor dhe përjashton personat nën 16 vjeç nga platformat kryesore.
Turqia pritet t’i bashkohet kësaj liste pasi miratoi në prill një ligj që ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç. Ligji pritet të hyjë në fuqi në fund të vitit 2026.
Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan muajin e kaluar një ndalim të rrjeteve sociale për personat nën 15 vjeç, i cili pritet të zbatohet pas rreth një viti.
Kufizimet e shpallura
Në të gjithë Bashkimin Evropian, Komisioni Evropian planifikon të propozojë më vonë këtë vit masa që parashikojnë një ndalim të plotë për fëmijët nën 13 vjeç dhe një sistem me akses gradual për moshat nga 13 deri në 18 vjeç.
Brenda bllokut, qeveria e Greqisë njoftoi në fillim të prillit se synon të ndalojë aksesin në rrjetet sociale për personat nën 15 vjeç duke filluar nga 1 janari 2027.
Austria dhe Sllovenia po përgatisin gjithashtu legjislacion për të ndaluar aksesin përkatësisht për personat nën 14 dhe nën 15 vjeç.
Në Gjermani, ku kancelari Friedrich Merz mbështet kufizimin ose edhe ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët, një komision ekspertësh ka propozuar dy mundës; një ndalim sipas grupmoshave ose kufizime të veçanta për platforma të ndryshme.
Një debat i ngjashëm po zhvillohet edhe në Suedi ku një komision qeveritar ka propozuar ndalimin e rrjeteve sociale për personat nën 15 vjeç deri në fillim të vitit 2028.
Në Danimarkë, qeveria njoftoi në tetor 2025 se do të propozojë ndalimin e “disa platformave të rrjeteve sociale” për personat nën 15 vjeç.
Qeveria e Irlandës ka paralajmëruar se po shqyrton miratimin e legjislacionit nëse nuk merret një vendim në nivel të Bashkimit Evropian.
Jashtë BE-së, qeveria e Norvegjisë do të paraqesë deri në fund të vitit një projektligj për ndalimin e aksesit për personat nën 16 vjeç.
Britania e Madhe po shqyrton ndalimin e rrjeteve sociale për personat nën 16 vjeç deri në fillim të vitit 2027, në bazë të një mase të planifikuar nga ish-kryeministri Keir Starmer.
Edhe Kanadaja synon të vendosë moshën minimale 16 vjeç për përdorimin e rrjeteve sociale.
Disa shtete në Indi po shqyrtojnë kufizime për fëmijët, ndërsa qeveria ka bërë të ditur se po zhvillon diskutime me platformat për masa të mundshme.
Projektligjet në parlament
Një propozim për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç pritet të hidhet në votim të martën në parlamentin francez, pasi deputetët dhe senatorët arritën një marrëveshje kompromisi.
Dhoma e Ulët e miratoi projektligjin në lexim të parë në janar, por Senati më pas e ndryshoi atë për ta kufizuar vetëm te platformat më të dëmshme, gjë që shkaktoi shqetësime në Bruksel.
Qeveria shpreson që ligji të hyjë në fuqi në shtator. Ministrja për Çështjet Dixhitale, Anne Le Henanff, deklaroi se kjo do ta bënte Francën vendin e parë në Evropë që vendos një “moshë ligjore dixhitale”.
Portugalia po shqyrton një projektligj që do të vendoste moshën 16 vjeç për akses të pavarur në platforma, shërbime, lojëra dhe aplikacione.
Spanja ka propozuar rritjen e moshës minimale për regjistrimin në një platformë të rrjeteve sociale nga 14 në 16 vjeç.
Në Itali, parlamenti po shqyrton një projektligj që do të ndalonte përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç. /Ad.Ab./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.