KOMENT – Italia miraton dekretin e ri të sigurisë, ashpërsohen masat ndaj dhunës gjatë protestave dhe ndaj të miturve
ROMË, 20 tetor /ATSH-ANSA/ – Këshilli italian i Ministrave ka miratuar dekretin e ri për sigurinë dhe luftën kundër kriminalitetit të të miturve, me masa të reja për parandalimin dhe ndëshkimin e akteve të dhunës gjatë manifestimeve publike.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, njoftoi miratimin e masave pas episodeve të dhunës të regjistruara gjatë fundjavës në Milano dhe qytete të tjera të vendit, ku u raportuan dëmtime të vitrinave, grabitje të dyqaneve dhe sulme ndaj forcave të rendit.
“Janë skena të papranueshme që askush nuk mund t’i minimizojë apo t’i justifikojë”, deklaroi Meloni, duke theksuar se qeveria synon të forcojë instrumentet për parandalimin dhe luftimin e dhunës.
Një nga risitë kryesore të dekretit është parashikimi i një vepre të re penale, që lidhet me pjesëmarrjen e dhunshme në një manifestim.
Sipas kryeministres, masa synon personat që bashkohen në grupe prej pesë ose më shumë vetash dhe përdorin gurë, mjete piroteknike apo shkopinj, duke rrezikuar sigurinë publike.
Për këtë vepër parashikohet dënim deri në pesë vjet burg dhe gjobë deri në 20 mijë euro.
Sanksionet mund të rëndohen në rastet kur personat kanë fytyrën e mbuluar ose shkaktojnë plagosje.
Dekreti parashikon gjithashtu ashpërsimin e dënimeve për shkatërrimin e pronës në grup, në kuadër të masave për mbrojtjen e hapësirave publike dhe pronës private gjatë protestave.
Ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio, bëri të ditur se masa të tjera lidhen me organizimin e manifestimeve të dhunshme.
Sipas tij, parashikohet një vepër penale autonome për personat që nxisin ose organizojnë krijimin e grupeve me qëllim kryerjen e akteve të tilla, edhe përmes mjeteve informatike ose telematike.
Për këtë vepër, sipas shpjegimeve të ministrit, parashikohen dënime nga katër deri në 12 vjet burg, në varësi të dispozitave të përcaktuara në tekstin ligjor.
Një tjetër masë e rëndësishme është zgjerimi i mundësisë së ndalimit parandalues edhe për të miturit, një instrument që deri më tani zbatohej ndaj të rriturve.
Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, tha se masa synon të përfshijë edhe personat që dyshohet se mund të kryejnë vepra penale dhe të cenojnë sigurinë në vende me grumbullime të mëdha njerëzish.
Piantedosi theksoi se masa nuk kufizohet vetëm te manifestimet, por mund të zbatohet edhe në vende të karakterizuara nga prania e një numri të konsiderueshëm personash, kur plotësohen kushtet e përcaktuara nga ligji.
Dekreti trajton edhe përgjegjësinë penale të të miturve nga mosha 14 deri në 18 vjeç.
Sipas qeverisë, do të zbatohet parimi i prezumimit të aftësisë për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet, përveç rasteve kur provohet e kundërta, duke ndryshuar qasjen e mëparshme procedurale.
Një tjetër parim i përfshirë në paketën e masave është “kush shkakton dëmin, paguan”.
Meloni deklaroi se, kur dëmtimet shkaktohen nga të miturit, përgjegjësia financiare mund të shtrihet edhe te prindërit, sipas procedurave ligjore përkatëse.
Në rastet kur dëmtohet prona publike, si semaforët, strehët e transportit publik apo automjetet e shërbimeve të rendit, prefekti mund të dërgojë urdhrin për pagesën e dëmit.
”Për pronën private, pronari mund t’i drejtohet gjykatës për të marrë një urdhër pagese të ekzekutueshëm menjëherë”, sipas shpjegimeve të kryeministres.
Gjatë përgatitjes së dekretit, një nga çështjet e diskutuara ishte edhe mundësia e zgjerimit të kompetencave të ushtarakëve në fushën e policisë gjyqësore.
Sipas burimeve parlamentare, kjo pikë u bë objekt diskutimi gjatë konsultimeve ndërmjet institucioneve të qeverisë dhe Presidencës së Republikës.
Në Milano, ndërkohë, Komiteti Provincial për Rendin dhe Sigurinë Publike do të mblidhet për të shqyrtuar situatën pas përplasjeve të fundjavës dhe për të diskutuar masat në prag të manifestimeve të paralajmëruara.
Në takim pritet të marrë pjesë edhe ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi.
Kryetari i Bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, deklaroi se lufta kundër dhunës nuk mund të mbështetet vetëm te masat represive. Sipas tij, politika duhet të trajtojë edhe shkaqet sociale që qëndrojnë pas tensioneve, pa toleruar aktet e dhunshme.
Sala theksoi se, përveç dëmeve materiale, e shqetëson edhe frika e punonjësve të dyqaneve që u prekën nga incidentet. Ai nënvizoi nevojën për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla.
Për ditën e nesërme është njoftuar një manifestim në sheshin “Piazza della Scala”, përpara selisë së Bashkisë së Milanos, me moton “Milano nuk do dhunë”.
Nisma është promovuar nga Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës (CGIL) dhe është mbështetur edhe nga Partia Demokratike dhe organizata të tjera.
Në manifestim pritet të marrë pjesë edhe Mario Calabresi, kandidat për zgjedhjet paraprake të mundshme të qendrës së majtë për kryetar të Bashkisë së Milanos. Ai bëri thirrje për unitet në dënimin e dhunës dhe për rikthimin e normalitetit në qytet.
Calabresi u shpreh se aktet e dhunës nuk kanë justifikim, por shtoi se është e nevojshme të kuptohen arsyet që i shkaktojnë ato dhe të trajtohen problemet që qëndrojnë në themel të tyre.
Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Matteo Salvini, theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve përmes arsimit, punësimit dhe mundësive për të ardhmen.
Sipas tij, parandalimi dhe ndëshkimi duhet të shoqërohen me politika që u japin të rinjve perspektivë dhe mundësi konkrete integrimi në shoqëri./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.