Koment: Mos e humbni kurajon Gjermani dhe SHBA!
Mike Pompeo vjen për një tur diplomatik në Europë, por e mënjanon Gjermaninë. Kurse ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas shkon në Moskë. Marrëdhënia transatlantike në pikën më të ulët, shkruan Jens Thurau.
Mund të bëhesh vërtet sentimental dhe historia e mëposhtme tingëllon sikur ka ndodhur në një kohë shumë të largët: Si reporter i ri kam qenë në vitin 1994 aty, kur presidenti amerikan, Bill Cliton qëndronte para Portës së Brandenburgut i rrethuar nga mijëra berlinezë të entuziazmuar. “Gjithçka është e mundur, Berlini është i lirë”, iu drejtua Clinton njerëzve. Atëkohë i shkonte Gjermanisë dhe Berlinit ky mentalitet amerikan i orientuar gjithmonë përpara. Amerika e kishte bashkë-mundësuar bashkimin gjerman, Amerika na mësoi demokracinë, fillimisht vetëm për perëndimin gjerman, tani për të gjithë Gjermaninë.
Pompeo jo në Berlin, Maas shkon në Moskë
Javën e ardhshme ministri i Jashtëm amerikan, Mike Pompeo vjen në Europë. Ai viziton Poloninë, Austrinë, Çekinë dhe Slloveninë. Të gjithë miq të mëdhenj të SHBA, ka bërë të ditur Pompeo që më parë. Gjermaninë nuk e përmendi me asnjë fjalë. Në vend të kësaj, tre senatorë amerikanë e kërcënojnë portin e Sasnitcit në verilindje të Gjermaninë në Balltik me sanksione « shkatërruese », për shkak të pjesëmarrjes në projektin e gazsjellësit, Nord Stream 2, ku amerikanët, duket se janë fiksuar plotësisht. E pikërisht në kohën, kur Pompeo e anashkalon Berlinin në vizitën e tij në Europë, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas shkon në Moskë. Pikërisht në Moskë. Në vizitën e dytë të rëndësishme pas kufizimeve të Coronës, vetëm në Izrael ka qenë ai më parë. Një vizitë në Uashington nuk e përmend kush. Për të ardhur keq!
Asgjë nuk po ecën si duhet në marrëdhënien transatlantike. Dihet prej kohësh që me presidentin kaotik dhe gjithmonë të zemëruar, Donald Trump nuk arrihet një përputhje. Qeveria gjermane prandaj u përpoq për kontakte në nivelet e ulta, u përqëndrua aty për të mbajtur pak a shumë fijet të mos këputen, për kohën më pas. Por ka kohë që edhe gjermanët e kanë kuptuar, se asgjë nuk do të jetë më si më parë, si në vitin 1994, apo edhe më pas, si në vitin 1963, kur John F. Kennedy në Berlin u festua si shpëtimtar.
Me sy tjetër
Në pikat aktuale të grindjes, bëhet fjalë për kontributin gjerman të mbrojtjes, i cili për amerikanët është shumë i vogël. Bëhet fjalë për tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania, disa thonë, një akt hakmarrjeje I Trumpit, që nuk ndjehet i vlerësuar si duhet nga kancelarja Merkel. Bëhet fjalë për gazsjellësin, siç e përmendëm nga Rusia në Gjermani. Por vetëm në dukje.
Në thelb bëhet fjalë për ndryshimin e vështrimit që gjermanët kanë pasur ndaj Amerikës dhe amerikanët ndaj Gjermanisë: Vendi i mundësive të pakufizuara, vendi që dikur ishte simbol i “hegjemonit mirëdashës” që mbështeste sigurinë tonë, ka ndryshuar këndvështrimin dhe është kthyer nga vetja. Ose në drejtim të Paqësorit. Dhe ne, gjermanët, shohim të neveritur dhunën e policisë në SHBA, të fiksuarit e pandryshueshëm ndaj armëve, dhe viktimat me mijëra, shohim dallimet e mëdha sociale, një president megaloman në twitter, një shoqëri të polarizuar.
Shoqëritë përçahen
Ne duhet të shohim më mirë nga vetja. Ajo që po ndodh në Amerikë aktualisht, mohimi i rrezikut të pandemisë, racizmi, frontet politikë të ashpëruar, -asgjë nga këto nuk është pozitive. Por edhe tek ne shoqëria po përçahet gjithnjë e më shumë, populistët bërtasin, dhe përkrahësit e teorive konspirative vijnë vërdallë. Dhe nëse Amerikan e humb bërthamën demokratike, Europa dhe Gjermania mbeten të vetmuar në qendër të asaj, që përcaktohej dikur si „bashkësi vlerash perëndimore”. Këtë zor se e mbrojmë dot vetëm ne. E nuk është se në Europë të gjithë ndiqnin pa asnjë rezervë idealin e vjetër amerikan.
Por unë nuk dua ta humb shpresën. Ajo është ende gjallë në SHBA dhe Gjermani: Shumica e qartë, që si gjithmonë hesht, mendon, se demokracia është një vlerë në vetvete dhe akoma një nga format më të mira shoqërore, megjithë problemet. Kjo shumicë mendon, se Amerika dhe Gjermania kanë vlera të përbashkëta dhe do duhet që t’i përfaqësojnë së bashku. Edhe pse për momentin nuk duket kështu.
Se sa shpejt e përbashkëta del në sipërfaqe, kjo u bë e qartë pas viteve të rënda nën George W. Bushin dhe kur senatori i ri, Barack Obama foli para përmendores së triumfit në Berlin para 200.000 gjermanëve. Të gjithë plot shpresë, sepse e ndjenin, që ky njeri do të zgjidhej president. E kjo nuk ka ndodhur në një kohë të largët, 12 vite më parë. Mos e humbni kurajon, Amerikë dhe Gjermani!