Koment: Ne dhe dhimbja e të tjerëve
Jemi të shokuar, kolektivisht pagojë. Pse na prek kaq shumë dhimbja e të afërmve të 150 viktimave të rrëzimit të avionit? Sepse vdekja godet papritur, sepse humbën jetën fëmijë, mendon Volker Wagener.
Zi. Sa fjalë e thatë për një ndjesi dhimbjeje që mjegullon ço gjë. Çdo preokupim i përditshëm që vetëm pak minuta më parë na prishte humorin bën krahë, ikën. Shpenzimet e larta për ndonjë riparim të makinës së dytë, sherret e përditshme në shtëpi për shkak të një fjalie pa vend, zhgënjimi në punë, sepse vlerësimi që ke ti për veten nuk përputhet me atë që kolegët e dashur kanë për ty. Papritur çdo gjë shihet në një dritë tjetër, ke një ndjesi turpi për këto vramendje. Papritur trembemi për vogëlsirat e banalitetet e përditshme. Një ndjesi e menjëhershme, e rrallë: Para sysh na del përkohshmëria e jetës. Për zinë ende nuk ka vend. Ajo vjen më vonë, kur tronditja, tmerri të kalojë në një reflektim të qetë për pushtetin e fatit. Shoku është më i shpejtë se pikëllimi.
Katastrofa të largëta dhe të afërta
Çfarë na trondit kaq shumë pas vdekjes së 150 vetëvë, që ne as nuk i njihnim? Rikonfirmohet sërish ajo teza e vjetër se redaktori i medias lokale në një provincë, i cili i kushton një gjysmë faqeje vënies së gurthemelit për godinën e re të shoqatës së qitësve të fshatit, ndërsa 88 viktimat e një tërmeti diku në Azi kanë vlerë vetëm 20 rreshta: Pranë syrit pranë zemrës, njerëzit preken më shumë. Ajo që ndodh përreth meje më intereson më shumë se gjithçka tjetër që godet fati, natyra apo dora e njeriut diku në botë. Kjo është njerëzore, lidhet me psikikën tonë. Ndër viktimat janë gjermanë, fëmijë. Kjo është ajo që e nxjerr rutinën tonë nga e përditshmja.
Dy foshnja janë ndër 150 viktimat. Modeli zgjon instiktin tonë të vetëmbrojtjes. Por fundi i një jete ende të pafilluar mirë nuk na godet aq shumë sa vdekja e një klase gjimnazistësh. Nënat dhe baballarët u kanë dhënë fëmijëve të tyre kaë shumë dashuri, mbrojtje dhe përkrahje, aq sa për pak ata mund ta futeshin pa hezitim në botën e të rriturve. Të lindësh një fëmi, ta rrisësh dhe pastaj ta humbasësh për shkak të një gabimi teknik, gabimi njerëzor apo një tekë e natyrës është katastrofa më e madhe e jetës që mund të godasë një njeri. Një atentat ndaj rolit mbrojtës të prindërve.
Ora e ngushëlluesve
Kur ke rënë në humnerën e jetës është mirë të kesh pranë dikë që ndihmon. Jo vetëm fqinjët dhe kolegët, por edhe psikologët, klerikë, terapistë. Për afrim dhe ngushëllim shoqëria ka edhe simbole. Shteti i vendos flamujtë në gjysmështizë kombëtarja e futbollit vesh shiritin e zi, Bundestagu përkujton viktimat. Ndoshta nuk mund ta pëlqesh turizmin me katastrofën dhe politikanë që shkojnë në vendngjarje. Vërtët nëse shkon ministri i Jashtëm dhe i Transportit, apo kancelarja, dhimbja nuk lehtësohet nga shfaqja e shkurtër e përfaqësuesve të politikës në vendin e ngjarjes: E megjithatë –solidariteti shoqëror është i rëndësishëm.
Thuhet se koha shëron plagët, por kjo fjalë e vjetër nuk funksionon gjithmonë. Dhe fjalia standarte në momente katastrofash personale se jeta vazhdon, thotë më shumë për shoqërinë tonë racionale të orientuar vetëm nga suksesi, në të cilën gjithçka duhet të ecë përpara, pavarësisht çfarë ndodh, se sa u jep forcë të afërmve. Shkurt: Ka goditje fati që edhe në të ardhmen mbeten ato që janë: mizori të jetës, të cilat ne nuk kemi fuqi t’i ndryshojmë.