KOMENT – Përfundon takimi historik SHBA-Kinë-Rusi, një kapitull i ri për diplomacinë botërore
SHENZHEN, 19 nëntor /ATSH-DPA/- Presidenti kinez, Xi Jinping, presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, përfunduan sot takimin e tyre të parë tripalësh, pas rreth 90 minutash bisedimesh, ku në qendër të vëmendjes ishte bashkëpunimi për kufizimin e përhapjes së armëve bërthamore.
Pamjet televizive treguan tre liderët e fuqive bërthamore të ulur rreth një tryeze të madhe të rrumbullakët, në një vilë në qytetin Shenzhen të Kinës jugore, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
“Si presidentë të tri vendeve më të mëdha në botë, kemi një përgjegjësi të veçantë për të zhvilluar një dialog të hapur, me respekt dhe frytdhënës për çështje që prekin jo vetëm popujt tanë, por të gjithë planetin”, deklaroi Trump në fjalën e tij hyrëse, të transmetuar drejtpërdrejt në televizion, përpara se gazetarët të largoheshin nga salla.
Duke iu referuar luftës së SHBA-së kundër Iranit, Trump përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të lejojë që Irani të sigurojë armë bërthamore.
Përpara takimit, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Trump synonte të diskutonte reduktimin e arsenalit bërthamor në nivel botëror.
Megjithëse nuk pritej arritja e një marrëveshjeje konkrete, takimi shihej si një mundësi për të hapur rrugën drejt bisedimeve të mëtejshme.
Putini ngre çështjen e Ukrainës, Xi kërkon paqe mes fuqive të mëdha
Putini, i cili foli i pari, falënderoi Xi për organizimin e takimit dhe theksoi se të tria vendet, si fuqi fituese të Luftës së Dytë Botërore dhe anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtë vetoje, kanë një përgjegjësi të veçantë për ruajtjen e stabilitetit global.
Ai përmendi sigurinë energjetike dhe ushqimore, luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar ndërkufitar, si fusha ku tri vendet mund të bashkëpunojnë.
Putini ngriti gjithashtu çështjen e konflikteve rajonale, përfshirë luftën e Rusisë kundër Ukrainës, duke thënë se Trump dhe Xi i kishin kushtuar vëmendje të konsiderueshme kësaj çështjeje, gjatë takimeve të mëparshme dypalëshe me të.
Si Trump, ashtu edhe Xi, kanë shprehur synimin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila nisi me pushtimin në shkallë të plotë të territorit ukrainas nga Rusia, më shumë se katër vjet e gjysmë më parë.
Pas përfundimit të takimit, Putini pritej të mbante një konferencë për shtyp.
Nga ana e tij, Xi e cilësoi takimin e parë ballë për ballë mes tre liderëve si një ngjarje me “rëndësi historike”, raportoi agjencia shtetërore kineze e lajmeve “Hsinhua”.
“Historia na ka treguar se bota është e sigurt kur fuqitë e mëdha jetojnë në paqe dhe bie në kaos kur ato përplasen”, tha Xi.
Ai vuri gjithashtu në dukje rolin e tri vendeve në mposhtjen e fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ky ishte takimi i parë i këtij lloji mes liderëve të SHBA-së, Rusisë dhe Kinës. Më herët, Xi, Trump dhe Putini zhvilluan takime dypalëshe me njëri-tjetrin.
Të tre liderët morën pjesë edhe në samitin e Grupit të 20 vendeve më të industrializuara dhe në zhvillim (G20), në vitin 2019, në Osaka të Japonisë, ku ishin takuar më vete.
Trump kërkon përfshirjen e Kinës në bisedimet për kontrollin e armëve bërthamore
Trump ka propozuar një marrëveshje të re afatgjatë për kontrollin e armëve bërthamore dhe ka kërkuar që në këto bisedime të përfshihet edhe Kina.
Marrëveshja “New START”, e nënshkruar në vitin 2010 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia, përfundoi këtë vit. Ajo përcaktonte kufijtë për numrin e kokave bërthamore strategjike të dislokuara dhe të mjeteve të lëshimit të tyre.
Administrata Trump ka shprehur prej kohësh, shqetësimin për zgjerimin e arsenalit bërthamor të Kinës.
Sipas vlerësimeve të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), Rusia zotëron rreth 5,420 koka bërthamore, SHBA-ja rreth 5, 042 dhe Kina afërsisht 620.
Sipas të njëjtit institut, Kina po e zgjeron arsenalin e saj bërthamor më shpejt se çdo vend tjetër. Në një paradë ushtarake në vitin 2025, Pekini prezantoi disa sisteme të reja armësh bërthamore. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.