KOMENT – Rrëzimi i një rakete të dyshuar ruse në Poloni alarmon NATO-n
VARSHAVË/BRUKSEL, 30 korrik /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shprehu solidaritetin e tij me aleatin Poloni pasi një objekt fluturues, i dyshuar nga qeveria në Varshavë të ishte një raketë ruse, u rrëzua pranë kufirit ukrainas.
Rutte diskutoi “shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë nga një raketë ruse” me kryeministrin polak Donald Tusk.
”Si Polonia ashtu edhe NATO aktivizuan mbrojtjen e tyre ajrore dhe tokësore”, tha Rutte.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me Poloninë dhe do të vazhdojmë të forcojmë gatishmërinë tonë për t’u mbrojtur kundër çdo kërcënimi, përfshirë sulmet me raketa”, tha ai.
“Ky incident është një tjetër akt i pamatur nga Rusia dhe një pasojë e rrezikshme e luftës së saj kundër Ukrainës”, shtoi Rutte.
”Objekti fluturues që u rrëzua në Poloni pranë kufirit ukrainas gjatë natës ka të ngjarë të ketë qenë një raketë ruse”, tha po sot Tusk.
“Gjithçka tregon se është një raketë ruse CH-101, por ne nuk duam të paragjykojmë rezultatet e një hetimi të plotë”, tha Tusk në qytetin lindor të Lublinit gjatë një vizite në vendin e rrëzimit.
“Ne ishim të përgatitur ta rrëzonim raketën nëse ajo do të kishte vazhduar në kursin e saj”, shtoi ai.
Një objekt fluturues i paidentifikuar hyri në hapësirën ajrore polake dhe u rrëzua gjatë sulmeve të rënda ajrore ruse në Ukrainën fqinje gjatë natës, tha sot ushtria polake.
Komanda supreme e ushtrisë tha se objekti ra në një zonë të pabanuar pranë fshatit Tarnawa Kolonia, rreth 90 kilometra në jug të Lublinit, ku një alarm ajror u dëgjua herët në mëngjes.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes Magdalena Sobkowiak-Czarnecka i tha ”Radio Zet” se askush nuk ishte lënduar në incident dhe asnjë pronë nuk ishte dëmtuar.
Tusk u drejtua për në vendin e rrëzimit së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Wladysław Kosiniak-Kamysz dhe ministrin e Brendshëm, Marcin Kierwinski.
Ushtria tha se një objekt i paidentifikuar u zbulua në hapësirën ajrore polake rreth orës 03:40 (01:40 GMT), duke lëvizur në drejtim perëndimor.
Një avion luftarak ”F-16” u ngrit në ajër për ta identifikuar atë, por objekti fluturues më pas u zhduk nga radari.
Ekuipazhi i një helikopteri më vonë identifikoi vendin e rrëzimit.
Policia e Lublinit tha në X se banorët kishin raportuar se kishin dëgjuar një shpërthim të madh në orët e para të mëngjesit.
Pranë Tarnawa Kolonia, oficerët gjetën një krater me diametër 10 metra.
Kosiniak-Kamysz e përshkroi atë si “një natë jashtëzakonisht të vështirë për sistemet e mbrojtjes ajrore, mbikëqyrjes dhe përgjimit të Polonisë”, me hetime që po vazhdojnë për të identifikuar objektin.
Udhëheqja e Kievit ia vuri përgjegjësinë për incidentin Rusisë.
“Gjatë natës, një raketë ruse Kh-101 kaloi në Poloni si pjesë e sulmit masiv të Rusisë kundër Ukrainës, duke shkelur hapësirën ajrore të NATO-s”, shkroi ministri i Jashtëm Andrii Sybiha në X.
“Ky është një tjetër demonstrim i qartë se forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës tani është urgjent dhe shërben si garanci për mbrojtjen e të gjithë komunitetit euroatlantik”, shtoi ai.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, hapësira ajrore polake është shkelur në disa raste.
Në shtator, një numër i madh dronësh hynë në hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi rus ndaj Ukrainës.
Forcat ajrore polake dhe aleatë të tjerë të NATO-s qëlluan disa nga predhat për herë të parë./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.