Koment: Shansi i fundit?
Drama greke: A është samiti i BE-së kulmi i një krize të vazhdueshme prej pesë vjetësh, apo finalja e saj? Alexander Kudascheff dyshon në përparimet që mund të sjellë samiti i krizës në negociatat me Greqinë.
Kriza evropiane nuk po ndalet. Përsëri BE-ja është përpara një samiti krize. Përsëri, ka vetëm një temë: drama greke. Dhe përsëri, askush nuk e di nëse ky është kulmi i një krize të vazhdueshme prej pesë vjetësh, po ose nëse finalja – sikurse ndodh shpesh – po shkon edhe një herë në një zgjatje të re. A duhet të dalë Greqia nga zona e euros? A do të ndodhë “Grexiti” aq i përfolur, apo Greqisë do t’i jepet në fund, një shans i fundit dhe do të vazdojë të përdorë monedhën e përbashkët evropiane?
Një gjë është e qartë edhe para samitit: nervat janë të tensionuara. Durimi po merr fund, si tek grekët, edhe tek 18 vende e tjera të eurozonës. Pothuajse kudo – edhe në Gjermani – pyetja është tani nëse grekët kanë luajtur fort apo nëse ka ardhur koha për t’i dhënë fund tragjedisë. Sepse, sipas mendimit të shumë skeptikëve, Greqia nuk mund të ndihmohet më. Nga rrënimi atë mund ta shpëtojë vetëm falimentimi dhe heqja e euros. Edhe nëse Greqinë e kërcënon një katastrofë humanitare. Edhe atëherë BE-ja do t’i ndihmojë grekët.
Borxhe të jashtëzakonshme
Qeveria e Tsipras i sheh gjërat natyrisht ndryshe. Ajo kërkon solidaritetin, i sheh bisedimet para zgjidhjes dhe beson se Greqia mund të shpëtohet përmes kursit të qeverisë së majtë. Ky kurs është i thjeshtë: të falet borxhi, dhe të bëhen vetëm reformat që ajo vetë i konsideron si efektive. Po kreditorët nuk bien dakord me këtë kurs. Ata dëshirojnë reforma të thella dhe vetëm pastaj të japin para.
Problemi i vërtetë, megjithatë, është ndoshta një tjetër. Politika evropiane e shpëtimit në krizën globale financiare evropiane – shumë e dominuar nga Gjermania – ka ndihmuar të rimëkëmben Portugalia, Spanja, Qipro, Letonia dhe Irlanda. Italia po reformohet, sikurse dhe Franca, edhe pse ngadalë. Vetëm në Greqi nuk ndikon mjekësia ekonomike. Kursimi, është sipas Athinës, ilaçi i gabuar. Kjo është e vërtetë për Greqinë, sepse atje kreditë kanë arritur nivele të tmerrshme dhe ka të ngjarë që ato të mos shlyhen më. Dhe kreditorët janë për këtë arsye po aq të burgosur të borxheve të tilla si edhe Greqia.
Deklaratë falimentimi për Syrizan
Greqia po vuan në këto pesë vjet të turbullt, depresivë dhe të dëshpëruar pasojat e një krize politike të përhershme. Shteti nuk funksionon. Aty ka një shoqëri klienteliste pa administratë funksionale. Greqia nuk është në gjendje për të marrë më shumë para dhe për të shpenzuar më pak, çelësi për të rimarrë veten ekonomikisht. Dhe madje edhe lëvizja Syriza nuk po arrin në pesë muajt që nga marrja e detyrës, për të ndaluar evazionin fiskal të të pasurve dhe për të gjetur paratë e zeza në miliarda në llogaritë e huaja. Një deklaratë falimentimi për një parti të majtë socialiste.
Në vend të kësaj, Athina ka bërë brenda vendit demagogji kundër FMN-së, BE-së dhe Gjermanisë, herë pas here flirton me Moskën dhe mundohet të luftojë pa rezultat një raund negociatash pas tjetrit. Rezultati: të gjithë janë të nervozuar, madje edhe evropianët që simpatizojnë me Syrizën – si presidenti i Komisionit Evropian Juncker dhe presidenti i Parlamentit të BE-së Schulz. Kjo edhe përballohet.
Nxitja e përfytyrimeve të vjetra për armikun
Por më keqja është se euroja – e menduar si simbol i integrimit evropian – po e shpërbën BE-në. Po ringjallen përsëri përfytyrimet e vjetra për armikun. Në shumë vende të BE-së, po bëhen gjithnjë e më të fortë partitë ultra të djathta e partitë ultra të majta. Dhe një numër në rritje qytetarësh të BE-së po pyesin: A nuk është shumë i lartë çmimi për politikat e dështuara të Greqisë? A duhet pranuar vërtetë shkelja e të gjitha rregullave dhe marrëveshjeve për ta mbajtur Greqinë në eurozonë?
Samiti të hënën mund të jetë një shans të fundit për ta shpëtuar Greqinë dhe euron. Por plagët e viteve dhe të muajve të fundit janë të thella, më të thella se një marrëveshje e përkohshme. Sepse vlera themelore e BE-së ka qenë gjithmonë kompromisi për rreth 60 vjetët e kaluara. Tani ka përsëri fitues, humbës, viktima. Një zhvillim mendor shkatërrues.