Komisioni për Buxhet nuk e mbështet amendamentin për memorialin e fëmijëve të vrarë në luftë
Amendamenti i deputetes Teuta Haxhiu për ndarjen e 600 mijë eurove për një kompleks memorial kushtuar fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës mori katër vota pro dhe gjashtë abstenime, ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, e kundërshtoi si propozim që nuk mund të realizohet brenda këtij viti buxhetor.
Komisioni për Buxhet i Kuvendit të Kosovës nuk e ka mbështetur amendamentin e deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, për ndarjen e 600 mijë eurove për ndërtimin e një kompleksi memorial kushtuar fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, siç raporton Zëri. Amendamenti, i paraqitur brenda Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026, mori katër vota pro, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, çka nuk mjaftoi për miratimin e tij.
Haxhiu theksoi se ndërtimi i memorialit është një domosdoshmëri, duke nënvizuar se edhe pas 27 vjetësh nga lufta nuk ekziston një vend ku mund të vendosen lule në kujtim të fëmijëve të vrarë e të zhdukur. Sipas saj, kërkesa për këtë projekt nuk është e re dhe për të kishte pasur kode buxhetore edhe në qeveritë e kaluara.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, e kundërshtoi amendamentin, duke shpjeguar se ndërtimi i memorialit është përgjegjësi e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, e cila bën pjesë në Ministrinë e Kulturës. Ai vlerësoi se koha e mbetur deri në fund të vitit nuk lejon realizimin e një projekti të tillë përmes rishikimit të buxhetit, pasi rishikimi hyn në fuqi në fillim të nëntorit dhe kanë mbetur më pak se dy muaj deri në skadimin e buxhetit, periudhë në të cilën nuk mund të përmbyllen procedurat e prokurimit, ankesat dhe nënshkrimi i kontratës.
Murati e cilësoi propozimin si jo serioz në aspektin e procedurave buxhetore dhe kërkoi që çështja të trajtohet në rrugë institucionale, e jo me deklarata politike. “Është e dhimbshme që s’ka një memorial të tillë, megjithatë le ta trajtojmë institucionalisht si duhet”, tha ministri.
Në përgjigjen e saj, Haxhiu i kujtoi ministrit se për memorialin kishte pasur kod buxhetor në qeverinë e Hashim Thaçit dhe më pas edhe në qeverinë Haradinaj. “Unë jam nënë edhe jam gjyshe, unë e kam ndjeshmërinë në këtë aspekt, flasim për 600.000 euro”, tha ajo. Në të njëjtën mbledhje, komisioni nuk e miratoi as amendamentin për ndarjen e një milion eurove për protezat e invalidëve të luftës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.