Kompania amerikane Kaiser nxjerr në pushim të papaguar 2.200 punëtorë të pavaksinuar
Kaiser Permanente, një nga organizatat më të mëdha që operon në fushën e shëndetësisë në SHBA, njoftoi se 2.200 punonjës që nuk kanë marrë vaksinën kundër koronavirusit (COVID-19) janë nxjerrë në pushim të papaguar.
Në një deklaratë nga kompania thuhet se 2.200 personave që nuk kanë respektuar rregullin e detyrimit për të pasur vaksinën kundër COVID-19 në sistemin shëndetësor u është dhënë dy muaj pushim pa pagesë.
Në deklaratë theksohet se personeli në fjalë, që korrespondon me afërsisht 1 për qind të punonjësve të kompanisë, nuk kanë marrë vaksinat e tyre kundër COVID-19, pavarësisht afatit të dhënë deri më 30 shtator.
Më tej thuhet se këta persona mund të kthehen në punë nëse paraqesin vaksinimet e tyre ose një përjashtim të kualifikuar mjekësor ose fetar deri më 1 dhjetor, përndryshe, kontratat e tyre do të përfundojnë.
“Shpresojmë që asnjë nga këta punonjës të mos zgjedhë të lërë punën në vend që të vaksinohet, por nuk do ta dimë këtë deri më 1 dhjetor”, tha për ABC zëdhënësi i Kaiser Permanente, Marc Brown.
Brown tha se do të vazhdojnë të punojnë për të adresuar shqetësimet e këtij grupi në lidhje me vaksinat dhe për t’i informuar ata mbi përfitimet dhe rreziqet e tyre.
Kaiser Permanente, me seli në Oakland të Kalifornisë dhe e themeluar në vitin 1945, operon në nëntë shtete. Sipas burimeve të disponueshme në internet, kompania, e cila ka më shumë se 304 mijë punonjës, ka të ardhura vjetore prej 89 miliardë dollarësh, sipas regjistrimeve të vitit 2020.