Kompania e karburanteve “Colonial” paguan “gjobat” për hakerat 5 milion dollarë, zhbllokohen operacionet e benzinës
Komentet e tij vijnë pas njoftimeve se kompania e tubacionit të karburanteve Colonial, u ka paguar gati 5 milion dollarë hakerave nga Evropa Lindore për të zhbllokuar operacionet e saj, sipas Bloomberg News, që u referohej dy burimeve të cilat kishin dijeni për transaksionin.
Një sulm kibernetik paralizoi të premten rrjetin më të madh të tubacioneve të karburantit në SHBA.
Sipas njoftimit, kompania e bëri pagesën me kriptomonedha të pagjurmueshme të premten, vetëm disa orë pas sulmit.
Pasi morën pagesën, hakerat i përcollën kompanisë një instrument dekriptimi për të rikuperuar rrjetin kompjuterik të paralizuar. Megjithatë, kompania përdori programet e veta kompjuterike që e ndihmuan të rikuperonte sistemin, pasi instrumenti i dekriptimit ishte i ngadaltë, njofton Bloomberg News.
Shtëpia e Bardhë tha të enjten se qëndrimi i qeverisë amerikane mbetet i pandryshuar: Nuk është në interes të kompanive t’u paguajnë shpërblim hakerave.
Pas një ndërprerjeje gjashtë ditore, tubacioni Colonial, më i rëndësishmi i këtij lloji në SHBA, rifilloi të enjten punën për transportimin e miliona litrave të parë të karburantit.
Në fillim të kësaj jave, FBI-ja akuzoi për sulmin kibernetik një bandë kriminale pak të njohur, të quajtur DarkSide. Ky grup nuk e ka pranuar drejtpërdrejt përgjegjësinë, por të mërkurën ai tha se ka prishur sistemet në tre kompani të tjera.
Në një njoftim të postuar në faqen e internetit të DarkSide, nuk përmendet drejtpërdrejt tubacionin Colonial, por thuhet se: “qëllimi ynë është të fitojmë para, dhe jo të krijojmë probleme për shoqërinë”.
Administrata Biden në veprim
Administrata e presidentit Biden është hedhur në veprim pas sulmit kibernetik në tubacionin kryesor të benzinës për Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara duke kuptuar se situata paraqet një seri rreziqesh të mundshme politike dhe ekonomike.
Paralizimi i tubacionit ishte një situatë emergjente për një presidencë të re të cilës i është dashur gjithashtu të merret me pandeminë, recesionin, një fluks të fëmijëve të pashoqëruar në kufirin SHBA-Meksikë, tërheqjen e trupave nga Afganistani dhe tensionet në Lindjen e Mesme.
Administrata ka shpalosur gjatë kësaj kohe hapat që po ndërmerrte për të rikthyer furnizimin me benzinë në stacionet e karburantit në zonat e prekura. Ajo u vu në veprim pasi hakerat që kërkonin shpërblim të premten mbyllën tubacionin, i cili furnizon me rreth 45% të benzinës Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara. Mbyllja shkaktoi një krizë furnizimi dhe rritje të çmimeve.
Biden: Nuk përjashtojmë një kundërpërgjigje
Presidenti Joe Biden komentoi të enjten mbi incidentin e tubacionit, një provë tjetër e ndërgjegjësimit të administratës së tij për rreziqet politike të lidhura me tubacionin dhe një përpjekje e Shtëpisë së Bardhë për ta shfrytëzuar situatën si një arsye më shumë për të miratuar paketën e tij të infrastrukturës.
Ai tha se ai nuk mund të diktojë se çfarë mund të bëjnë kompanitë private në lidhje me sigurinë kibernetike.
Presidenti tha se nuk përjashton një kundërpërgjigje ndaj piratëve kibernetikë.
Ai tha gjithashtu se personat që qëndrojnë pas sulmit ndaj tubacionit Colonial ndodheshin në Rusi dhe se pret të flasë me presidentin rus Putin për këtë çështje. Por ai shtoi se SHBA ne nuk besojnë se qeveria ruse ishte e përfshirë në këtë sulm kibernetik.
Presidenti tha se incidenti tregon se Shtetet e Bashkuara duhet të forcojnë infrastrukturën.
Disa orë para se tubacioni Colonial të rifillonte punën të mërkurën, presidenti Biden kishte sinjalizuar se kishte arsye për optimizëm.
Presidenti nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të përmirësuar sigurinë kibernetike. Ekipi i tij e përdori paralizimin e tubacionit si një argument për të miratuar paketën prej 2.3 trilionë dollarësh për infrastrukturën.
Sekretari i Transportit Pete Buttigieg tha se sulmi kibernetik ishte një kujtesë se infrastruktura është çështje e sigurisë kombëtare dhe nevojiten investime për një fuqizim të saj.
“Kjo nuk është diçka ekstra, nuk është një luks, nuk është një opsion,” tha zoti Buttigieg. “Kjo duhet të jetë thelbësore për mënyrën se si ne sigurojmë infrastrukturën kritike.”
Departamenti i Sigurisë Kombëtare hoqi disa kufizime për tregtinë detare me kompani individuale, të pa identifikuara nga qeveria, për të lejuar transportimin e karburantit midis Bregut të Gjirit dhe porteve të Bregut Lindor, që është me rëndësi jetike.
Departamenti i Transportit po studion se sa anije mund të transportojnë lëndë djegëse fosile në Gjirin e Meksikës dhe Bregun Lindor. U hoqën gjithashtu kufizimet në orarin kur karburanti mund të transportohet nga kamionët çisternë. Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit bëri disa lëshime në rregulloret për përzierjet e gazit.
Firma teknologjike Gasbuddy.com thotë se 28% e stacioneve ishin pa karburant në Karolinën e Veriut. Në Xhorxhia, Karolinën e Jugut dhe Virxhinia, më shumë se 16% e pikave të karburantit ishin pa benzinë.
Kriza e papritur e furnizimit pas sulmit të javës së kaluar tregoi sfidat që mund të shfaqen për Shtëpinë e Bardhë e cila duhet t’u përgjigjet ndërkohë edhe ngjarjeve botërore.
Çmimet e benzinës dhe zgjedhjet
Ligjvënësit republikanë kritikuan administratën për anulimin e mëparshëm të planeve për të ndërtuar tubacionin e naftës Keystone XL nga Kanadaja. Presidenti Biden kishte anuluar lejen e tij për shkak të rreziqeve të derdhjeve dhe shqetësimeve të ndryshimit të klimës.
Çmimet më të larta të energjisë shpesh kanë pasoja politike, duke komplikuar fushatat e rizgjedhjes për presidentët në detyrë jashtë rajoneve prodhuese të naftës. Mungesa e karburantit në vitin 1979 dëmtoi përpjekjet presidenciale të Jimmy Carter për rizgjedhje dhe ndihmoi në fillimin e epokës së Reaganit.
Një studim i botuar vitin e kaluar nga Banka Botërore mori në shqyrtim 207 zgjedhje në 50 demokraci dhe zbuloi se një rritje e çmimit të naftës një vit para zgjedhjeve “në mënyrë sistematike ul shanset e personave në detyrë që të rizgjidhen”. Gjetjet ishin të vlefshme si për konservatorët ashtu edhe për liberalët, duke treguar një shkallë të lartë pragmatizmi nga votuesit.