Ekonomia

Kompania e TAP, në hetimet e mafies. Prokurorët italianë: Viktimë e “Cosa Nostra”-s

Pak ditë më parë, konsorciumi TAP, i cili do të ndërtojë gazsjellësin nga Azerbajxhani në drejtim të Italisë, shpalli emrat e dy kompanive kontraktore, të cilat do të merren me ndërtimin dhe rehabilitimin e mbi 100 kilometrave rrugë përgjatë shtegut të gazsjellësit, si dhe ndërtimin e dy urave të reja dhe rehabilitimin e rreth 50 urave ekzistuese.

tap28Sipas TAP, kompanitë e kontraktuara janë dy; ajo shqiptare “Gener 2”, e drejtuar nga biznesmeni shqiptar Bashkim Ulaj dhe ajo italiane “Sicilsaldo”, në pronësi të familjes Brunetti në Katania. Por nëse kompania “Gener 2” dhe pronari Ulaj janë të njohur në Shqipëri, mbetet e panjohur kompania italiane.

Referuar dokumenteve të Prokurorisë, policisë dhe gjykatave në Itali, rezulton se Angelo Brunetti, themelues i kësaj kompanie, të cilën në vitin 2008 ia kaloi të birit Emilio, është një emër i përmendur disa herë si i përfshirë dhe i nënshtruar nga mafia siçiliane “Cosa Nostra”.

Reparti i Operacioneve Speciale të Karabinierëve të Katanias, në një hetim të zhvilluar në kuadër të operacionit të koduar “Ibilis”, ku u arrestuan dhe u dënuan disa mafiozë siçilianë, e përmendin Brunettin si një person të nënshtruar tërësisht ndaj “Cosa Nostra”-s.

Por, vlen të theksohet se në vitet, kur ai ka qenë në krye të kompanisë “Sicilsaldi” nuk ka qenë kurrë i dënuar apo i akuzuar, edhe pse dyshimet mbi të kanë qenë të forta. Në vitin 2007, ai u hetua nga Departamenti Antimafia i Caltanissettas për favorizim të mafies, çështje kjo e arkivuar më pas.

Edhe tri herë të tjera, ai është paraqitur si viktimë e zhvatjes së mafies, por që sipas avokatëve dhe prokurorëve, ai asnjëherë nuk ka denoncuar këto shantazhe të bëra nga ana e “Cosa Nostra”-s.

Nga hetimet e kryera për procesin “Ibilis”, ku provohen lidhjet e bizneseve, politikës dhe mafies, ka rezultuar se Angelo Brunetti i ka dhënë 50 milionë lireta Franco Costanzos, i dënuar në këtë proces me 11 vjet e 8 muaj burg për lidhje me mafiën. Po ashtu, ai i ka dhënë 60 mijë euro të tjera Alfio Mirabiles, anëtar i familjes mafioze të Katanias, Santapaola, dhe 15 mijë euro të tjera Rosario Di Dios, i dënuar me 20 vite burg dhe i njohur si një nga bosët lokalë të mafies.

Në një hetim të mëparshëm, gjithnjë nga Prokura e Caltanissettas, Brunetti përmendet se i ka paguar 100 mijë euro një pjesëtari të “Cosa Nostra”-s në zonën e Gelas, ku dhe është filiali i kësaj shoqërie.

Në një gjykim të dytë, në vitin 2010, të ndërmarrë nga Gjykata e Palermos, rezulton se Angelo Brunetti kishte lidhje edhe me Salvatore Biscontin, anëtar i familjes mafioze të Belmonte Mezzagnos. Për këtë fakt, prokurorët kanë sjellë dhe përgjime, ku Bisconti tregon për lidhjet e tij me Brunettin.

Pavarësisht të gjitha hetimeve të kryera dhe lidhjeve të Brunettit me eksponentë të familjeve mafioze të “Cosa Nostra”-s, deri më sot ai nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi penale dhe nuk ka qenë asnjëherë në bankën e të akuzuarve. Por, faktet e paraqitura në disa hetime të kryera në Siçili, e kanë lidhur emrin e tij me “Cosa Nostra”-n, si një mbështetës dhe i nënshtruar i saj.

Nga ana e tij, Brunetti ka deklaruar se ka paguar për të qenë i qetë, por prokurorët gjithnjë kanë ngritur dyshimet se Angelo Brunetti, asnjëherë nuk ka thënë të vërtetën mbi lidhjet e tij me këta persona.

Tashmë kompania “Sicilsaldo”, e krijuar prej tij në vitin 1994 dhe e marrë në zotërim nga i biri në vitin 2008, do të zbarkojë në Shqipëri për të ndërtuar mbi 100 km rrugë, në shërbim të gazsjellësit TAP.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button