Kompania kineze “Hilong”, shërbim për sektorin e naftës në Shqipëri
Vitet e fundit, nisma “Një brez, një rrugë” dhe mekanizmi i bashkëpunimit “16+1” kanë shërbyer si dy motorë që po nxisin zhvillimin e shpejtë të bashkëpunimit ekonomik mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore, përfshirë edhe Shqipërinë. Si një nyjë e rëndësishme e zonës së Mesdheut, Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë investime kineze në infrasktrukturë, miniera, energjetikë, telekomunikacion dhe sektorin e shërbimeve.
Ky bashkëpunim jo vetëm ka zgjeruar biznesin e kompanive kineze në tregun ndërkombëtar, por ka shtuar të ardhurat nga taksat dhe punësimin në Shqipëri, duke i shërbyer zhvillimit ekonomiko-shoqëror të vendit. Për këtë temë, redaksia e gjuhës shqipe e Radios së Jashtme të Kinës (CRI Shqip) ka realizuar disa reportazhe.
Megjithëse Kina dhe Shqipëria ndodhen larg njëra-tjetrës dhe përmasat e ekonomive të tyre janë shumë të ndryshme, të dy vendet kanë potencial të madh bashkëpunimi, pasi ata mund të përplotësojnë njëri-tjetrin dhe kanë miqësi të thellë tradicionale dhe besim të fortë të ndërsjellë. Në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” dhe mekanizmit të bashkëpunimit “16+1”, zhvillimi ekonomik Kinë-Shqipëri ndodhet përpara mundësive shumë të mira. Sipas të dhënave nga ambasada e Kinës në Shqipëri, në fund të vitit 2016, vëllimi i investimeve kineze në tregun shqiptar është rritur në 760 milionë dollarë amerikanë, nga 87 milionë në fund të vitit 2015.
Kompania kineze “Hilong” e ka selinë në Shangai. Në vitin 2014, “Hilong” fitoi kontratën për shërbimet për projektin e shpim-kërkimit në Berat të Shqipërisë. Kjo do të thotë që investimet kineze në Shqipëri janë bërë jo vetëm në fushën e pajisjeve dhe makinerive, por edhe në shërbime industriale.
Përgjegjësi i projektit të “Hilong”-ut në Shqipëri, Si Chongguo, thotë që hyrja në tregun shqiptar është një mundësi shumë e mirë për kompaninë e tij, pasi “Hilong”-u mund të eksplorojë më tej tregun e nivelit të lartë të shërbimit për sektorin e naftës.
“Shqipëria ka një bazë të dobët industriale dhe infrastruktura është e prapambetur në krahasim me vendet e tjera europiane. Por kjo është një mundësi për ne. Kemi ardhur në këtë vend, që është përgjatë ‘Një brez, një rrugë’ dhe mund të shfrytëzojmë këtë strategji të madhe, për t’u futur në këtë treg. Shqipëria është një pjesë e tregut europian, prandaj mund të zgjerojmë biznesin në tregun e nivelit të lartë të shërbimit për sektorin e naftës. Kemi kuptuar që Europa është një kontinent që ecën përpara në sektorin e naftës. Nëse mund të gjejmë burime të pasura këtu, kjo do të ketë ndikime pozitive për sektorin e naftës në Shqipëri dhe do të nxitë fort zhvillimin energjetik të Shqipërisë,” thotë Si Chongguo.
Përveç investimeve, “Hilong”-u ka luajtur rol aktiv edhe në punësimin vendor dhe trajnimin e punonjësve shqiptarë. Siç mësohet, tani në “Hilong” stafi shqiptar zë rreth dy të tretat. Pajisjet që përdoren për puset e naftës janë prodhuar nga fabrika e makinerive të naftës “Baoji” e Kinës dhe ato mund të arrijnë në thellësinë prej 9000 metrash. Kontrolli i pajisjeve realizohet me teknologji digjitale dhe inteligjente, të nivelit të përparuar botëror. Zoti Si u shpreh se “Hilong”-u ka ftuar ekspertë nga Britania për trajnim të gjithanshëm, duke përfshirë gjuhën angleze, njohuritë teknologjike dhe sigurinë në punë. Ai theksoi që, ndër të gjitha trajnimet, siguria është e para, “pasi siguria e njerëzve është baza e të gjitha punëve”.
Investimet e “Hilong”-ut jo vetëm kanë krijuar vende pune, por edhe u kanë sjellë vendasve një shans për njohjen e kompanive dhe kulturës kineze. Aftësia e menaxhimit dhe e formimit të ekipit të punës nga investitorët kinezë është njohur nga partnerët vendorë. Sipas tyre, një ekip i ri ndërkombëtar po formohet shpejt dhe po ecën përpara me një ritëm të paimagjinueshëm. Kolegët kinezë dhe ata shqiptarë në “Hilong” kanë bashkëpunim të mirë me njëri-tjetrin. 25-vjeçarja Irena Sufaj ka ardhur në “Hilong” në fund të 2015-s dhe punon si asistente finance. Ajo thotë: “Për të qenë e sinqertë, gjithmonë më ka pëlqyer kultura aziatike dhe gjithmonë informohem e lexoj lidhur me të. Mendoj se është shumë mirë që kur e pëlqen një kulturë, duke punuar me njerëz të asaj kulture, informohesh edhe më shumë, e njeh kulturën edhe më afër.”
Duke folur për ndryshimet e sjella nga investimet kineze, drejtori ekzekutiv i AIDA-s, Genc Çeli, theksoi: “Është e natyrshme që çdo investitor të rrisë punësimin. Unë nuk kam shifra të saktë të punësimit, por është e natyrshme që punësimi është rritur dhe gjëja më e mirë është rritja e kualifikimit dhe aftësimit profesional. Po të shikojmë prirjen e tregut, vërehet se kompanitë kineze nuk janë këtu vetëm sepse importojnë mallra, por janë rritur së tepërmi importet e makinerive dhe pajisjeve. Përveç punësimit, janë rritur dhe njohuritë teknike të punonjësve.”
Këshilltari tregtar i ambasadës së Kinës në Shqipëri Lian Gang bën të ditur që “Hilong”-u është një nga kompanitë e para kineze që kanë investuar në Shqipëri në sektorin e shërbimeve të naftës dhe gazit natyror. Investime të tilla, sipas tij, kanë përsosur shpërndarjen e burimeve të të dy vendeve, dukekrijuar një mjedis bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta mes Kinës dhe Shqipërisë.
Lian Gang thekson gjithashtu që investimet e ndërmarrjeve kineze janë bërë kryesisht në sektorë si minierat, energjetika, telekomunikacioni dhe burimet ujore. Investimet e kompanive kineze në tregun shqiptar janë bërë sipas parimeve të tregut. Kjo mënyrë investimesh ka përmirësuar shfrytëzimin e burimeve të të dy palëve, duke nxitur zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.