Kompleksi armen: Kur një gjenocid është gjenocid?
“Gjenocidi i parë i shekullit të 20-të”, i quan Papa Françesku masakrat e turqve kundër armenëve dhe me këtë i ka të garantuara problemet me Ankaranë. Kur një gjenocid është gjenocid? Grindja është rindezur.
Kur të premten në Bundestagun gjerman të përkujtohen armenët e deportuar, të uritur dhe të vrarë ndërmjet viteve 1915 dhe 1923, do të ketë rëndësi saktësia e formulimeve. Fjalën gjenocid deri tani e kanë zënë në gojë vetëm pak deputetë. Pozicioni zyrtar i qeverisë gjermane ka qenë, keqardhje po, por për gjenocid asnjë fjalë, as me gojë dhe as me shkrim. Por kjo po ndryshon. Kancelarja Angela Merkel po e thotë këtë fjalë, madje ka rënë dakord me presidentin gjerman Joachim Gauck, për përzgjedhjen e fjalëve. Një sensacion i vërtetë, për të cilin është pritur shumë.
Arsye për përmbajtjen verbale ka pasur shumë, për vite me rradhë. Partia Socialdemokrate, traditionalisht e rrënjosur thellë në mjedisin e migrantëve turq, kishte frikë se humbiste votat, sikur gjenocidi ndaj armenëve, që në mesin e historianëve në mbarë botën është i padiskutueshëm, të bëhej qëndrimi zyrtar i Gjermanisë. Në më shumë se 20 shtete gjenocidi ndaj armenëve është versioni zyrtar, ndër të tjerë edhe në Francë dhe Zvicër.
Por Gjermania kishte vështirësi me këtë fjalë. Berlini lëvizte me shumë kujdes në terrenin e minuar diplomatik. Me partnerin e Natos Turqinë nuk donte ta prishte. E njëjta gjë ishte edhe lidhur me dy milionë turqit, që jetojnë në Gjermani. Dhe pastaj aty është edhe përfshirja gjermane në katastrofën armene, që mund të sillte me vete edhe pagimin e dëmshpërblimit.
Perandoria Osmane në 1915
Shumë fakte dëshmojnë, se fati i armenëve ishte vulosur qysh në vitin 1914. Ushtria osmane në fund të atij viti pësoi një humbje shkatërruese nga trupat ruse. Sipas vlerësimeve 50.000 deri 80.000 turq humbën jetën në sulmin e dimrit të përgatitur keq në Kaukazin perëndimor. Beteja e Sarikamishit konsiderohet si shkak i gjenocidit. Turqit i bënë fajtorë për humbjen armenët , të cilët thuhej se kishin luftuar në anën e rusëve, ose kishin vepruar me aksione partizane kundër osmanëve. Sipas variantit turk armenët ishin kolona e pestë e Rusisë, qëllimi i së cilës atëherë kishte qenë, të krijonte një Armeni si zonë tampon, për të dalë nga Kaukazi direkt në Mesdhe. Kështu shkruhet deri sot në librat shkollorë në Turqi.
Në fillim të shekullit 20-të armenët jetojnë kryesisht në lindje të Perandorisë Osmane. Në shumë rajone armenët e krishterë përbëjnë një grup të madh etniko-fetar. Por një territor vetëm armen, apo një shtet i tyre nuk ekzistonte. Shfaqja e nacionalizmit në shekullin 19-të dhe 20-të tek armenët është më pak e theksuar se tek grupet e tjera etnike, që duan të çlirohen nga sulltani.
“Elitat armene angazhohen më shumë për unitetin e Perandorisë Osmane”, pohon historiania e Lindjes së Mesme nga Berlini, Elke Hartmann. “Megjithatë në një shtet pluralist me organizim modern.”
Por Perandoria Osmane në shpërbërje, përfundon në një shtet turk nacional në dëm të shumëllojshmërisë së popujve. Tragjikja: Krijimi i republikës moderne turke nis me genocidin ndaj armenëve.
“… në shkretëtir, për t’i thyer forcën.”
Në fund të prillit 1915 në të gjithë Anadollin nisi aksoni i “dëbimeve”. Një term i kërkuar nga zyrtarët dhe administratorët për të tingëlluar i parrezikshëm, por i cili nuk do të thotë gjë tjetër veçse deportim. Intelektualët armenë, përfaqësuesit politikë dhe fetarë u deportuan me sistem nga Konstantinopoja, kryeqyteti osman, në Anadoll, ku u vranë. Si bazë shërbeu ligji, që u miratua më vonë, më 27 maj 1915.
Si pretekst shërben pohimi, se armenët planifikonin një kryengritje mbarëkombëtare. “Territoret e reja, të parashikuara për vendosjen e armenëve” janë shkretëtirat e Sirisë dhe Mesopotamisë, rripa toke jopjellorë, pa asnjë bazë për jetesë. Një dëshmitare shkruan në shënimet e saj: “Po i çojnë në shkretëtirë. Për të thyer forcën e tyre të fundit, i sjellin në qark në ecje disaditore.” Nga 300.000 deri 1,5 milionë armenë duhet të kenë gjetur vdekjen atëherë.
Perandoria Gjermane, ndihmësi vullnetar
Asnjë shtet tjetër nuk është i përfshirë në fatin e armenëve si Perandoria Gjermane, për interesa ekonomike dhe strategjike. Më 7 korrik 1915 Hans Freiherr von Wangenheim, ambasadori gjerman në Konstandinopojë, i shkruan një telegram kancelarit të Rajhut gjerman, Theobald von Bethmann-Hollweg: “Rrethanat dhe mënyra, se si kryhet zhvendosja, tregojnë se qeveria me të vërtetë ndjek synimin për ta shkatërruar racën armene në Perandorinë Turke.”
Gjermanët janë një aleat i rëndësishëm i Perandorisë Osmane, që po pëson kolaps, ata e furnizojnë atë me armë, dërgojnë ekspertë ushtarakë, ata kanë interesa në Bosfor. Ndërtimi i hekurudhës së Bagdadit, një projekt aq i rëndësishëm, sa edhe programi Apollo, i fluturimit të amerikanëve në hapësirë në vitet 1960, shërben si çelës në luftën kundër britanikëve në Orient.
Nga konsullatat e shumta në Perandorinë Osmane Berlini është i informuar mbi detajet e marshimeve të vdekjes së armenëve. Dokumentet e vërtetojnë këtë. Në njërën nga letrat e shumta në adresë të zyrës së kancelarit, ku janë të përshkruara vrasjet e aleatit turk, Bethmann-Hollweg shënon: “Qëllimi ynë i vetëm është ta mbajmë Turqinë në anën tonë deri në fund të luftës, pavarësisht nëse armenët marrin fund apo jo.”
Gjenocidi – Grindja për klasifikimin e një krimi historik
Megjithëkëtë Gjermania deri tani bënte pjesë në ato vende, si SHBA dhe Izraeli, që nuk e klasifikojnë masakrën si gjenocid. Markus Meckel, SPD, e konsideron qendrimin gjerman një skandal. Bundestagu para dhjetë vjetësh me rastin e 90 vjetorit ka kërkuar falje në një deklaratë të përbashkët për “rolin e tij jo të lavdërueshëm”. Por për një bashkëfajësi të vërtetë nuk është bërë fjalë. Koncepti qendror i gjenocidit nuk shfaqet në dokument. Joschka Fischer, në atë kohë ministër i Jashtëm, do ta kishte penguar me veto. “Këtë nuk e lë të hyjë këtu!”, ka qenë vendimi i tij i fundit pas negociatave të gjata.
Ndryshimi i papritur tani në Berlin vjen në kohë, për 100 vjetorin. Në Jerevan të Armenisë Gjermania megjithatë do të përfaqësohet vetëm nga një delegacion i vogël. Ndërsa për Francën do të shkojë personalisht presidenti François Hollande.