Komunat kërkojnë Fond Emergjent: Mungojnë kapacitetet financiare për përballimin e stuhive dhe fatkeqësive natyrore
Pas paralajmërimeve për stuhi të fuqishme në Kosovë, komunat kanë kërkuar krijimin e një Fondi Emergjent, duke vlerësuar se mungesa e mjeteve financiare po ua vështirëson përballimin e situatave të jashtëzakonshme.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se komunat kanë kapacitete të kufizuara financiare për të ndërhyrë në raste të stuhive, vërshimeve dhe fatkeqësive të tjera natyrore.
Sipas tij, përgjegjësia kryesore për mbulimin e dëmeve dhe menaxhimin e situatave të tilla i takon nivelit qendror.
“Komunat janë jashtëzakonisht të kufizuara në aspektin financiar dhe nuk kanë kapacitete për të ndërmarrë masa të mëdha për përballimin e ndryshimeve klimatike apo fatkeqësive natyrore. Për këtë arsye, niveli qendror duhet të ketë një rol më të madh”, ka thënë Ibrahimi.
Ai ka bërë të ditur se ende ka qytetarë nga komuna të ndryshme që nuk janë kompensuar për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e vitit 2022.
Sipas tij, një nga arsyet kryesore për këto vonesa është mungesa e një Fondi Emergjent, i cili do të mundësonte reagim më të shpejtë dhe kompensim më efikas të qytetarëve të prekur.
“Ne kemi kërkuar krijimin e një fondi emergjent për komunat, një linjë buxhetore që në raste të tilla niveli qendror të reagojë menjëherë përmes komunave, pasi ato nuk kanë fonde të veçanta për mbulimin e kostove nga vërshimet”, ka deklaruar Ibrahimi.
Kërkesën për një fond të tillë e ka përsëritur edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi. Ai ka thënë se komunat duhet të kenë mundësi të menaxhojnë menjëherë situatat emergjente.
Latifi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të kompensojë dëmet e qytetarëve të Rahovecit nga vërshimet e vitit 2022, të cilat, sipas tij, arrijnë në rreth 3 deri në 4 milionë euro.
Edhe Komuna e Mitrovicës së Jugut ka mbështetur idenë e krijimit të Fondit Emergjent. Zëdhënësi i kësaj komune, Shkëlzen Haliti, ka thënë se një fond i tillë do të mundësonte reagim më të shpejtë dhe më efikas në raste krizash.
Ndërkohë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për stuhi të shoqëruara me reshje intensive shiu, breshër, erëra të forta dhe mundësi për goditje rrufesh.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se ka ngritur gatishmërinë operacionale dhe koordinuese, duke bërë të ditur se në rastet kur një komunë tejkalon kapacitetet e saj, do të aktivizohen mekanizmat e ndihmës nga komunat fqinje dhe niveli qendror.
Kosova është përballur vitet e fundit me disa episode të vërshimeve, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në shumë komuna të vendit. /kp/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.