Komunikimi, do të shndërrojë kolonat në poezi
Edicioni VI i Festivalit të Artit Bashkëkohor “Art Kontakt” hap siparin më datat 25-26 shtator
“Art Kontakt”, Festivali i njohur i Artit Bashkëkohor, këtë vit ka lënë Porto Palermon, e cila kthehej në një skenë të madhe bashkëkohore arti, për t’u zhvendosur në Tiranë. Kolonat, hapësira midis sheshit ‘Italia’ dhe sheshit ‘Nënë Tereza’, do të jenë gjatë datave 24-25 shtator vendi ku do të gjallojë arti. Andi Tepelena, drejtuesi i festivalit, është duke u dhënë fund përgatitjeve që do të kthejnë Tiranën gjatë dy ditëve në një qendër të artit bashkëkohor. Tema e edicionit VI të festivalit i kushtohet komunikimit. Në një botë e cila duket sikur çdo ditë po humbet terren ndaj komunikimit, gjuha e artit kërkon të evokojë mbi rëndësinë e tij. “Edicioni VI i Festivalit të Artit Bashkëkohor ‘Art Kontakt 2015’, vjen me një risi të veçantë ku në qendër ka si objektiv temën e ‘Komunikimit’ në një bashkëveprim të arteve pamore me të gjitha format e tjera të artit si: muzikën, arkitekturën urbane dhe suburbane, dizajnin, fotografinë, filmin, letërsinë, dhe dansin modern. – Temë kjo, e cila krijon një urë lidhëse midis këtyre disiplinave artistike, duke zhdukur njëkohësisht të gjitha pengesat dhe kufijtë që ekzistojnë mes tyre. Komunikimi është një temë sa origjinale aq dhe e ndjeshme në kohën që jetojmë, sepse sistemi i ri kapitalist dhe drejt globalizimit ka bërë që komunikimi të shikohet dhe lexohet në shumë plane dhe forma si; midis nesh dhe botës që jetojmë, midis nesh si artistë pavarësisht artit ku bëjmë pjesë, midis lindjes dhe perëndimit, midis jugut dhe veriut, midis teknologjisë dhe informacionit etj…”, thotë Tepelena. Sipas tij, vendosja në qendër të universit bashkëkohor të “komunikimit” në thelb nuk është gjë tjetër, por vendosja në fokus të një fenomeni global të fillim mijëvjeçarit të tretë. “Ndërveprimi në një sintoni sofiste të të gjitha arteve i japin “komunikimit” një trajtë shumëdimensionale jo vetëm estetike, por edhe njerëzore sikurse është bota në shpirtin e artistit”, thotë ai. Në Tiranë, përgjatë ditëve të festivalit pritet të vijnë artistë të njohur të huaj. Shkëmbimi i eksperiencave është dhe një ndër qëllimet e festivalit. “Tema e ‘komunikimit’ e bën këtë vit edicionin VI të Festivalit të Artit Bashkëkohor një laborator të mirëfilltë eksplorimi, ku artistët e rinj mund të shprehen e hetojnë fenomene të ndryshme si; social-politike, ideologjike, racore, fetare dhe masmediave, të cilat në kohën ku jetojmë luajnë një rol thelbësor në shkëmbimin e informacioneve anë e mbanë botës. “Komunikimi” si temë në këtë edicion nuk është thjesht të biseduarit midis personave në mënyrë verbale, por një formë veprimi dhe reagimi, e cila të shpie drejt një përqasje shumëdimensionale. Frymëzim ku përmes komunikimit të përcjellim mesazhe nxitëse dhe impulse të reja që shoqëria jonë kërkon ndaj së resë dhe evoluimit shoqëror përmes artit në tërësi”, thotë Tepelena. Sipas tij, përzgjedhja e kolonave në sheshin ‘Italia’ si vendin për të hapur, për të qëndruar dhe për të mbyllur festivalin nuk është një rastësi. “Sepse shumëllojshmëria e arteve që festivali Art Kontakt mbart në ADN-në e tij bën që ky shesh t’i rikthehet qytetarëve ose një lloji ‘audientibus humanitatis’: një vend ku shikon dhe të shikojnë, ku publiku është spektator, por edhe protagonist, një hapësirë e gjerë, e përbashkët dhe sociale në të cilën takohen artistë, vepra arti dhe publiku. – Kolonat gjatë festivalit shndërrohen nga pikëpamja historike nga një vend me simbolikë politike në një vend për artin bashkëkohor”, thotë Tepelana. Ky shesh, tashmë i çliruar nga fantazmat mes dy botëve, asaj të së kaluarës fashiste që e ideoi dhe e ndërtoi dhe periudhës pas viteve ’90 me funksionet konsumiste, do të shërbejë për të nxitur dëshirë dhe emocion nga veprat e artit. Video-art, instalacione, muzikë, vallëzim bashkëkohor, performanca, fotografi, etj., do ta shndërrojnë këtë hapësirë në një komunikim estetik me gjuhën e artit. “Festivali Art Kontak i përkthen kolonat në një poezi në vetvete, në një vend, i cili vëzhgon ndjesitë e publikut dhe mesazhet që artistët e rinj përcjellin me veprat e tyre. Komunikimi në këtë rrugëtim të artit bashkëkohor prek dhe tërheq pranë vetes problematika të ndryshme si; sociale, ekologjike, teknologjitë e reja të informacionit, punën, jetën dhe ritmin e saj të përditshëm, gëzimin dhe hidhërimin”, thotë Tepelena.