Komunikimi nuk është qeverisje
Duke lexuar postimet e Kryeministrit në Facebook

Ka një mënyrë shumë të thjeshtë për të kuptuar se çfarë mendon Kryeministri për veten dhe punën që ai bën: të shohësh se çfarë zgjedh të tregojë.
Në politikë, komunikimi nuk është dekor.
Është pjesë e pushtetit.
Ai përcakton çfarë i duhet dhënë publikut, çfarë vendoset në qendër të debatit dhe, mbi të gjitha, çfarë kërkohet të identifikohet me suksesin e qeverisë.
Pikërisht për këtë arsye, mënyra se si Edi Rama komunikon publikisht duhet lexuar jo thjesht si një seri postimesh në Facebook, por si një strategji politike komunikimi.
Kam lexuar një për një 110 postimet që Kryeministri ka bërë nga 1 gushti deri sot.
Ajo që bie në sy është një Shqipëri e parë vetëm përmes asaj që mund të tregohet:
Shkolla të reja. Rikonstruksione. Investime. Rrugë. Hapësira të transformuara. Spitale e fasadat e tyre të lyera. Turizëm. Pamje të bukura. Projekte që përfundojnë e të tjera në proces pune. Plazhe të mbushura me pushues. Festë.
Një Shqipëri në lëvizje, në transformim dhe në ndërtim të vazhdueshëm.
Asgjë të keqe nuk ka në këtë.
Çdo Kryeministër ka të drejtë, madje edhe detyrim, të tregojë punën që bën.
Mirëpo këtu fillon edhe problemi: a është kjo qeverisje, apo komunikim?
Sepse nuk janë e njëjta gjë.
Komunikimi ka të bëjë me atë që pushteti zgjedh t’i tregojë publikut.
Ndërsa qeverisja, pra edhe Kryeministri, gjykohet edhe nga problemet që pushteti nuk arrin t’i zgjidhë.
Një shkollë e re është komunikim.
Cilësia e mësimdhënies, niveli i nxënësve e studentëve është qeverisje.
Një rrugë e re është komunikim.
Mënyra se si është ndërtuar dhe se sa gjatë do të rezistojë pa u prishur ajo rrugë është qeverisje.
Një spital i rikonstruktuar është komunikim.
Por shërbimi që merr qytetari brenda tij dhe se si zgjidhet problemi i mungesës së ilaçeve e pajisjeve është qeverisje.
Një reformë e shpallur është komunikim.
Rezultati i saj është qeverisje.
Një premtim, fjala vjen premtimi i përsëritur i Kryeministrit në çdo fushatë zgjedhore prej asaj të vitit 2013 e më pas pa e harruar asnjëherë për sigurimin e ujit të pijshëm, është komunikim.
Mbajtja e tij është qeverisje.
Komunikimi merret me atë që duket.
Qeverisja me atë që funksionon.
Këtu kontradikta bëhet e dukshme.
Dhe e nxjerr zbuluar Kryeministrin.
Në fjalimet e fundit, duke analizuar shkaqet e protestës, vetë Kryeministri ka pranuar se administrata nuk funksionon siç duhet dhe ka theksuar se shumë institucione të qeverisjes nuk e kanë qytetarin në qendër.
Madje ka thënë me të drejtë se përvoja e qytetarëve e zhbën propagandën e qeverisë. Për ta ilustruar këtë, ai disa herë ka përmendur shembullin e nënës së një miku të tij, e cila shkonte në protestë e shtyrë nga përvoja e vet, siç argumnetoi Kryeministri.
Sepse i duhej të shkonte që në mëngjes herët në poliklinikë për të zënë radhën dhe për të pritur mjekun, i cili shkonte në punë në orën 10:00.
Pra, Kryeministri nuk është se nuk i njeh problemet.
Por në Facebook-un e tij këto probleme nuk ekzistojnë.
Në Facebook-un e tij administrata shtetërore është në rregull, e gjitha në shërbim të qytetarëve.
Institucionet e qeverisjes nuk kanë probleme.
Shërbimet nuk mungojnë.
Reformat nuk dështojnë.
Aty qeveria punon, ndërton, inauguron, transformon.
(Edhe fiton, por kjo është temë tjetër!)
Gjatë këtyre ditëve të gushtit, të cilat janë edhe ditët që unë kam marrë të analizoj postimet e Kryeministrit, Shqipëria është përfshirë nga zjarre të shumtë të shtrirë në të gjithë territorin e vendit.
Por, në 110 postime, nuk janë as pesë që lidhen me situatën e zjarreve.
Edhe ato pak postime janë falënderime për zjarrfikësit, Forcat e Armatosura dhe punonjësit e tjerë që u përballën me flakët.
Shumë mirë se ata meritojnë çdo falënderim.
Madje meritojnë edhe më shumë se vetëm falenderimet, duke filluar me rritjen e pagës së tyre.
Mirëpo, asnjë problem nuk vëren Kryeministri i vendit përballë kësaj situate?!
Asnjë problem nuk ka në kushtet e punës së zjarrfikësve, në mungesën e pajisjeve, në kapacitetet njerëzore, në sistemet e parandalimit dhe të administrimit të zjarreve?!
Këto janë qeverisje.
Por nuk janë pjesë e komunikimit.
E njëjta gjë ndodh edhe me turizmin.
Vlora, Saranda, Himara, Dhërmiu, Ksamili, Shëngjini, Qeparoi, Durrësi, Thethi e Lura dhe zona të tjera shfaqen përmes imazheve të zgjedhura me kujdes.
Por në të njëjtat zona ka pasur edhe zjarre, shfaqje dhune, konflikte e aksidente të rënda me humbje jetësh njerëzore.
Ka pasur edhe ngjarje kriminale, si vrasja e turistit portugez në Ksamil.
Asnjë nga këto ngjarje nuk mbërrin në vëmendjen e Kryeministrit?
Apo kjo është një Shqipëri tjetër, jo ajo që zgjidhet për t’u treguar?
Edhe një shembull.
U shpall me shumë bujë para disa ditësh një aksion për prishjen e një ndërtimi pa leje në ishullin e Sazanit.
Lajmi u shpërnda me përkujdesje të lartë shtetërore gjithkund.
Por askush nuk tha se si u ndërtua?
Si u lejua të shkelej ligji?
Ku ishin institucionet që kishin për detyrë ta parandalonin?
Sepse qeverisje nuk është vetëm të prishësh atë që u ndërtua pa leje.
Është të mos lejosh që të ndërtohet.
Si përfundim, problemi nuk është se Kryeministri komunikon shumë.
Problemi është se komunikimi paraqitet si qeverisje.
Një fotografi nuk është rezultat.
Një inaugurim nuk është sukses.
Një projekt i përfunduar nuk është domosdoshmërisht një problem i zgjidhur.
Dhe një Kryeministër që komunikon shumë nuk është domosdoshmërisht një Kryeministër që qeveris mirë.
Problemi nuk është vetëm çfarë zgjedh të tregojë Kryeministri.
Është edhe çfarë zgjedh të mos tregojë.
Sepse një vend nuk qeveriset me fotografi.
As me postime në Facebook!
Qeverisja nuk matet me atë që Kryeministri zgjedh të postojë në Facebook, por me atë që ndjen dhe përjeton qytetari.
Nuk matet me fotografitë e suksesit, por me problemet që shteti arrin të zgjidhë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.