Koncesioni për aeroportin e Vlorës, zhbllokohet procesi, MIE ndryshon afatin për ofertat
Afati i ri është dhënë pas heqjes së pezullimit nga ana e Komisionit të Prokurimit Publik që e kishte pezulluar këtë procedurë prej disa javësh pas një ankimi të bërë nga Global Technical Mecanics sh.p.k.
Në shtojcën e tenderit ministria sqaron se si afati për dorëzimin e ofertave edhe ai për hapjen janë zhvendosur nga 23 dhjetori 2020 (kohë kur procedura ishte e pezulluar) në 1 shkurt 2021.
“PIKA 5 Afati për hapjen e ofertave:
ISHTE: Brenda dhe jo me vonë se: Data: 23/12/2020 Ora: 12:00 Oferta kërkohet të paraqitet me mjete elektronike operatorët ekonomike duhet të dorëzojnë ofertën në mënyrë elektronike në faqen zyrtare të APP-së, www .app.gov.al
BËHET: Brenda dhe jo më vonë se: Data: 01/02/2021 Ora: 12:00 Vendi: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me mjete elektronike. Informacioni që komunikohet gjatë hapjes publike të ofertave, qe paraqiten me mjete elektronike duhet t’i komunikohet të gjithë atyre Operatorëve Ekonomikë që kanë dorëzuar oferta, në bazë të kërkesës së tyre” thuhet në shtojcë.
Koncesioni për Aeroportin e Vlorës u ankimua në dhjetor në Komisionin e Prokurimit Publik. Ky i fundit pranoi pjesërisht kërkesën e bërë nga kompania ankimuese e cila kërkonte disa sqarime nga MIE mes të tjerash për kategorinë e aeroportit që do të ndërtohet, certifikimet që duhet të dispononte ofertuesi potencial, disa detaje mbi termat e referencës.
“KPP vendosi të pranojë pjesërisht ankesën e paraqitur nga operatori ekonomik “Global Technical Mechanics” sh.p.k. për procedurën e konkurrimit “E hapur”, me objekt “Dhënie me koncesion/PPP për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Aeroportit të Vlorës”, me nr. REF-46571-12-19-2019, me vlerë të parashikuar projekti 86,638,359 Euro (pa TVSH), parashikuar për tu zhvilluar në datën 23.12.2020, nga autoriteti kontraktues Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Autoriteti kontraktor të sqarojë operatorin ekonomik ankimues, si dhe të publikojë këtë sqarim me anë të shtojcës përkatëse, sikurse përcaktohet në nenin 42 pika 2 të L.P.P-së” thuhet në vendimin e KPP.
Aeroporti i Vlorës, garancia e trafikut
Gara për aeroportin e Vlorës nisi në prag të vitit 2020 por për shkak të pandemisë u bë shtyrja me disa herë e afatit për ofertat dhe më pas pezullimi i tij. Vetëm në nëntor të vitit 2020 ministria çeli sërish procedurën. Aeroporti i Vlorës parashikohet që të ketë një periudhë koncesioni prej 35 vitesh ndërkohë që gara është hapur me një vlerë 86.6 milionë euro. Në dokumente saktësohet se do të duhen të paktën tre vite për të përfunduar punimet dhe një vit për të kryer kolaudimin e tij dhe për të marrë certifikatat e nevojshme. Sipas dokumenteve të bëra publike gjatë shpalljes së parë të garës qeveria ka marrë përsipër që të garantojë riskun për fitimin e munguar të koncesionarit. E teksa është parë e arsyeshme që operatorit privat ti garantohen 138 milionë euro të ardhura për 10 vitet e para të operimit nga trafiku i pasagjerëve, nuk është parë e arsyeshme që të ndahet njëlloj edhe fitimi. Shteti do të marrë 50 për qind të të ardhurave vetëm nëse tejkalohet skenari optimist.
Për të përcaktuar qëndrueshmërinë financiare të projektit në analizë janë marrë një sërë elementësh ku në thelb qëndron trafiku. Projeksionet në dokumentet zyrtare tregojnë tre skenarë trafiku bazë, optimist dhe pesimist nga viti 2022 deri në vitin 2048.
Në vitin e parë parashikimi për trafikun në skenarin bazë është 369,581 pasagjerë, në atë optimist 425,682 dhe në atë pesimist 343,708 pasagjerë. Deri në vitin 2028 parashikimi sipas dokumenteve është në skenarin bazë për 586,479 pasagjerë, në skenarin optimist 840,221 dhe në atë pesimist 487,556. Studimi sqaron se analiza e shifrave i referohet vitit 2018 kur edhe u shfaq për herë të parë në horizont mundësia e një aeroporti në Vlorë. Në vitin 2048 që është i fundit që jepen projeksionet për trafikun në tre skenarë shihet se në atë bazë numri i pasagjerëve parashikohet 1,952,075 në atë optimist 2,796,645 dhe në atë pesimist 1,092,994 pasagjerë.