Konflikti Izraelito-Palestinez/ Netanyahu falenderon Shqipërinë
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u shpreh se Izraeli kërkon që Hamasi, i cili qeveris Gazën, t’i paguajë shtrenjtë sulmet e tij me raketa. Ai shtoi se ofensiva e shtetit hebre në enklavën palestineze do të marrë, e nuk ka për të përfunduar shpejt. Ndërkohë, më herët përmes një postimi në rrjetet sociale, falenderoi shtetet që sipas tij kanë qëndruar krah Izraelit në këtë konflikt, e mes tyre përmendte edhe Shqipërinë e Kosovën.
“Faleminderit që qëndruat me vendosmëri me Izraelin dhe përkrahni të drejtën tonë për vetëmbrojtje ndaj sulmeve terroriste”, shkruante Netanyahu. Kjo pasi në një reagim të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, theksohej se sulmet me raketa kundër Izraelit janë të pajustifikueshme dhe rrezikojnë një përshkallëzim serioz të dhunës.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, mbajti një takim urgjent për të diskutuar situatën në Lindje të Mesme por 15 anëtarët e tij nuk qenë në gjendje të binin dakord mbi një deklaratë të përbashkët. Shtetet e Bashkuara, aleat i ngushtë i Izraelit, thuhet se e bllokuan këtë masë me pretendimin se do të ishte e padobishme në procesin diplomatik.
Në takim, ambasadorja amerikane, Linda Thomas-Greenfield u shpreh se SHBA-ja ishte e gatshme të ofronte mbështetje “nëse palët kërkojnë një armëpushim”.