Konkursi për mësuesit e papunë/ Dalin pikët e vlerësimit të dosjes, 6 fushat ku do testoheni
Mësuesit që do të marrin pikët më të larta nga vlerësimi me dosje dhe testimi me shkrim i 21 janarit, do të përzgjedhin të parët shkollat ku duan të punësohen. Para hyrjes në testim, mësuesit duhet të aplikojnë në portalin online të dikasterit të arsimit. MAS zyrtarizon programet orientuese për provimin e fazës së dytë konkurruese
Pranvera Kola
Përcaktohen gjashtë fushat, ku do të ndalet testimi i njohurive të arsimtarëve që kërkojnë të fitojnë një vend të lire pune në shkollat e arsimit të detyruar 9-vjeçar dhe gjimnazet e vendit, përgjatë 2017-ës.
Në 17 programet lëndore të hartuara nga ekspertët e IZHA-s, detajohet se në testimin me shkrim që do të zhvillohet në datën 21 janar të vitit që vjen, mësuesit duhet të konfirmojnë dijet e tyre rreth njohjes së dokumente zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë mësimore dhe edukative të mësuesve, njohuritë teorike rreth profilit të lëndës që kërkojnë të zhvillojnë në shkollë, njohjen e aspekteve të pedagogjisë dhe të metodologjisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie, njohjen e etikës dhe komunikimit që duhet të ndjekin me nxënësit.
Gjithashtu, dy fusha të tjera të rëndësishme që do të kenë një pjesë të konsiderueshme të pyetjeve në test, janë edhe njohja e drejtshkrimit dhe rregullave të gjuhës shqipe, si dhe përmbajtja shkencore e profilit të lëndës ku ka dhe vende të lira punësimi.
Në portalin online http://mesues.arsimi.gov.al/, gjenden të detajuara të 17 programet lëndore për mësuesit e arsimit parashkollor, arsimit fillor, arsimit special, arteve pamore, biologjisë, edukimit fizik, gjeografisë, fizikës, gjuhës së huaj, gjuhës dhe letërsisë, historisë, kimisë, matematikës, muzikës, shkencave sociale dhe ekonomisë, shkollave artistike, si dhe temat e për mësuesit e informatikës.
Secili program përmban në mënyrë të detajuar të gjithë temat që nga ku do të merren pyetjet e provimit me shkrim, duke specifikuar edhe literaturën konkrete se ku mund të gjenden.
Sipas udhëzimit të MAS, renditja e fituesve do të bëhet në përputhje me rezultatet që secili kandidat do të marrë nga vlerësimi me pikë i dosjes së dokumenteve për kualifikimet e kryera, si dhe pikët e testimit me shkrim.
Mësuesit duhet të paraqiten për të marrë pikët e dosjes
Ka përfunduar faza e parë e konkurrimit për këto vende të lira pune. Drejtoritë arsimore kanë vlerësuar me pikë të gjitha dosjet e mësuesve që kanë aplikuar për të qenë pjesë e kësaj gare për punësimet e reja të 2017-ës.
Çdo dokument i dosjes dhe kualifikim i mësuesit, është vlerësuar me një sasi të përcaktuar pikësh, të cilat së bashku me pikët që do të merren në provimin me shkrim, do të përbëjnë edhe rezultatin final për renditjen e mësuesve që do të jenë të parët në përzgjedhjen e shkollave ku duan të lidhin kontratën një vjeçare të punës.
Autoritetet e Drejtorisë Arsimore të Tiranës, kanë konfirmuar gjatë ditës së djeshme se kanë dalë rezultatet paraprake të vlerësimit të dosjes së çdo mësuesi që ka marrë pjesë në fazën e parë të konkurrimit, të cilët duhet të paraqiten pranë këtij institucioni jo vetëm për t’u njohur me pikët, por edhe për të marrë fletën e pranimit për aplikimin në portalin online “mësues për Shqipërinë 2016”.
Mësuesit kanë të drejtë që të ankimojnë rezultatin e pikëve të dosjes nëse mendojnë se nuk janë vlerësuar drejt.
“Të gjithë kandidatët që kanë dorëzuar dosjen e aplikimit të fazës së parë, duhet të paraqiten pranë ambienteve të kësaj drejtorie në datat 6 deri në 9 dhjetor, për të marrë rezultatet e pikëve, me të cilat do të hyjnë në provimin e 21 janarit.
Pranë këtyre zyrave do të tërhiqen edhe fletët e pranimit që ju duhen për momentin e aplikimit online në portalin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, regjistrim i cili duhet të bëhet detyrimisht në datat 11-16 dhjetor”, bëjnë me dije autoritetet e Drejtorisë Rajonale të Arsimit të Tiranës.
Po të njëjtat afate dhe procedura do të ndiqen edhe nga mësuesit që konkurrojnë për vendet e lira të punës në shkollat e rretheve.
Faza e dytë e konkurrimit
Pas mbylljes së fazës së parë të konkurrimit me vlerësimin e dosjeve të kandidatëve nga drejtoritë dhe zyrat arsimore rajonale, nis edhe aplikimi për fazën e dytë, që ka të bëjë me provimin e datës 21 janar.
Mësuesit që janë vlerësuar me pikët e duhura nga faza e parë, për të hyrë në provim duhet që të bëjnë regjistrimin në portalin online www.mesues.arsimi.gov.al, që fillon më datën 11 dhjetor dhe vazhdon deri në 16 dhjetor.
Kush nuk regjistrohet në portal në këto afate nuk do të lejohet që të japë provimin në janar, e për pasojë humbet edhe mundësinë për të siguruar një nga kontratat e lira të punës në shkollat e arsimit parauniversitar.
Një pjesë e konsiderueshme e mësuesve që kanë aplikuar edhe në garën e vitit të shkuar, do të testohen sërish përgjatë 2017-ës, për të siguruar një nivel më të lartë pikësh në testim. Kanë të drejtë të plotësojnë formularin e aplikimit, të gjithë mësuesit që kualifikohen nga drejtoritë e arsimore pas shqyrtimit të dosjeve të aplikimit.
Gjatë aplikimit online, çdo person duhet të ngarkojë gjatë plotësimit të formularit dy dokumente:
“Formularin e pranimit të lëshuar nga drejtoria arsimore e rrethit përkatës, si dhe dokumentin identifikues, Kartë Identiteti, ose Pasaportë. Një individ që dëshiron të aplikojë duhet të tregojë kujdes në plotësimin e këtij formulari, pasi nuk ka të drejtë ta përsërisë atë pas konfirmimit të aplikimit”. Duhet të tregoheni të kujdesshëm në plotësimin e fushave. Pas konfirmimit nuk keni më mundësi të bëni ndryshime.
Shpallja e fituesve pas provimit
Testimi do jetë në të njëjtën ditë dhe orë në të gjitha drejtoritë arsimore të vendit. Renditja përfundimtare për çdo profil apo lëndë bëhet sipas pikëve totale që nxirren nga shuma e pikëve të marra në vlerësimin e dosjes së aplikimit dhe pikëve të marra në testimin “Mësues për Shqipërinë”.
Renditja fillon me kandidatin me më shumë pikë dhe vijon në rendin zbritës. Kandidati që në renditjen e përgjithshme sipas profilit rezulton me numrin më të madh të pikëve, ka i pari të drejtën e zgjedhjes për vendet e lira të punës në institucionet arsimore në prezencë të Komisionit të ngritur pranë Drejtorive dhe Zyrave Arsimore Rajonale.
Kandidatët nuk mund të refuzojnë më shumë se tri vende pune të lira në tri njoftime të njëpasnjëshme të komisionit.
Testimi me shkrim, dokumentet ligjore që duhet t’i mësoni
- Ligji nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”,i ndryshuar.
- Urdhri për miratimin e Dispozitave Normative për arsimin parauniversitar (DN), nr 343, datë 19.08.2013.
- Udhëzimi nr. 16, datë 03.08.2016 “Për vitin shkollor 2016-2017 në sistemin arsimor parauniversitar”.
- Udhëzimi nr. 44, datë 16.10.2014 “ Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 21 datë 23.07.2010 “Për normat e punës mësimore- edukative dhe numrin e nxënësve për klasë në institucionet e arsimit parauniversitar”.
- Udhëzimi nr. 5, datë 25.02.2013 “Për standardet e mësuesit”.
- Udhëzimi nr. 26, datë 15.08.2015 “Zhvillimi profesional i punonjësve arsimorë”.
- Udhëzimi nr. 2, datë 12.02.2015 “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve”.
- Karta e Performancës së shkollës.
- Standardet e shkollës si qendër komunitare.
- Udhëzimi nr. 34, datë 11.09.2015 “Për vlerësimin e nxënësve për kurrikulën me kompetenca në arsimin bazë”
- Udhëzimi nr. 14, datë 28.07.2016 “Për vlerësimin e nxënësve në arsimin e mesëm të lartë”.