Rajoni

Kontrolli i internetit në Turqi

Parlamenti turk miratoi ashpërsimin e ligjit gjithsesi restriktiv për internetin.

turqiTani autoriteti i telekomunikacionit shtetëror mund të mbledhë të dhënat e përdoruesve pa urdhër gjykate dhe të bllokojë faqe të caktuara.Parlamenti turk miratoi në fillim të javës (8.9.) me propozim të partisë në pushtet AKP një ndryshim të ligjit për internetin. Ndryshimi i jep më shumë pushtet autoritetit të telekomunikacionit (TIB). Në bazë të tij në të ardhmen autoriteti mund të mbledhë të gjitha të dhënat e përdoruesve të internetit pa urdhër të gjykatës. Përveç kësaj lehtësohet bllokimi i faqeve të internetit apo i përmbajtjes së tyre pa vendim gjykate. Në rregullore renditen tri arsye të reja për bllokimin: “kërcënimi i sigurisë kombëtare”, “ruajtja e rendit publik”, dhe “parandalimi i krimit”.

Deri tani autoriteti i telekomunikacionit ka mundur të mbledhë të dhënat për lëvizjet e individëve në internet vetëm me urdhër të gjykatës. Për këtë arsye disa faqe interneti ka qenë e mundur të mbyllen vetëm, kur kërcënohej privatësia e një personi. Ky version i vjetër i ligjit të internetit hyri në fuqi në shkurt, pasi u zbulua skandali i korrupsionit të qeverisë turke. Dispozita e mëposhtme mbetet edhe në versionin e ri: Brenda katër orëve ofruesit e internetit duhet të zbatojnë urdhërin e autoritetit për bllokimin e një faqeje të caktuar. Brenda 24 orëve autoriteti duhet të paraqesë vendimin para një gjykate. Gjyqtari duhet pastaj të marrë një vendim brenda 48 orësh.

“Vendi po kthehet në një shtet policor”

Versioni i ri, i zgjeruar, i ligjit hyn në fuqi, pasi presidenti i ri Rexhep Taip Erdogan ta ketë nënshkruar atë, por kjo konsiderohet tashmë e sigurtë. Por që tani kritikat janë të ashpra. Ligji i internetit në formën e vjetër ka qenë gjithsesi mjaft represiv, thotë Asli Tunc, eksperte e mediave në Universitetin Bilgi në Stamboll. “Ky ndryshim arrin tani një dimension të ri. Autoriteti i telekomunikacionit mund të mbështetet tani në më shumë arsye, në qoftë se dëshiron të bllokojë një faqe.

Përveç kësaj mund të mbledhë të gjitha lëvizjet në internet të qytetarëve normale pa gjykim gjyqësor. “Vendi po kthehet në një shtet policor”, thotë Tunc në DW-bisedë. Liria e shprehjes rrezikohet gjithnjë e më shumë, thotë Tunc.

Ky ndryshim bie ndesh me kushtetutën, thotë ajo. “Një institucion shtetëror si zyra e telekomunikacionit nuk mund të ketë një pushtet të tillë kontrollues për shkak të ndarjes së pushteteve”, kritikon Tunc. Përveç kësaj gjobat për përdoruesit e internetit, që shkelin ligjin janë rritur, thotë ajo. Ligji i vjetër parashikonte dënime në deri 10 000 lira turke (rreth 3.600 euor), që tani janë rritur në 50 000 lira (rreth 17.800 euro). “Kjo shumë mund të prekë secilin, që sipas mendimit të autoritetit ofendon për shembull Ataturkun, themeluesin e republikës. Këtu fjalë të ndryshme mund të interpretohen në mënyra të ndryshme. Një shumë të tillë shumë qytetarë nuk mund ta paguajnë dot”, thotë Tunc.

Ky ndryshim i ligji të internetit është përveç kësaj “ironik”, thotë ekspertja e medias. Javën e kaluar (2-05.09.) u organizua në Stamboll forumi ndërkombëtar Internet Governance Forum (IGF).

Përfaqësuesit e disa qeverive diskutuan me përfaqësuesit e organizatave joqeveritare për zhvillimin e metejshëm të internetit. “Aty ishin të pranishëm edhe politikanët turq, por me sa duket bisedat me ta për lirinë e internetit nuk sollën asnjë rezultat. Përkundrazi”, thotë Tunc.

I detyruar të vetëcensurohesh

Ashpërsimi i ligjit të internetit do të jetë shumë efektiv, sepse tani faqe të caktuara mund të bllokohen për shumë arsye. Procesi ligjor, për të zhbllokuar përsëri një faqe, mund të zgjasë javë apo muaj. Për qytetarët e thjeshtë, që duan të ankohen kundër një bllokimi, kjo është torturë e vërtetë. Procesi ligjor në Turqi është shumë i ngadalshëm”, thotë Erkan Saka në bisedë me DW. 39-vjeçari Saka është prej për dhjetë vjetësh bloger kritik ndaj qeverisë dhe ka frikë se mund t’i bllokohet faqja. “Unë shkruaj kryesisht në anglisht dhe nëse qeverisë i bie ndërmend të kufizojë faqet në gjuhë të huaja, unë mund të bëhesha viktimë. Kështu që je i detyruar të vetëcensurohesh”, thotë Saka.

Blogeri përmend truket teknike, me anë të të cilave përdoruesit e internetit mund të anashkalojë bllokimin e faqeve të caktuara, si për shembull me një software VPN. Me ndihmën e rrjeteve virtuale private (VPN) mund të ndërtosh nga njëra anë rrugë të sigurta komunikimi dhe nga ana tjetër të fshish gjurmët e tua në internet. “Por jo të gjithë qytetarët kanë njohuri të tilla teknike. Kështu që bllokimi është mjaft efektiv”, thotë Saka.

Por jo vetëm bllokimi i mundshëm i faqeve të internetit, edhe kontrolli i komunikimit në internet nga autoriteti i telekomunikacionit do të thotë kufizimi i lirisë personale të qytetarëve, thekson Saka. “Gjithçka, që unë si qytetar normal bëj tani e tutje në internet, mund të memorizohet nga autoriteti. Në këtë mënyrë qeveria ka qasje të drejtpërdrejtë në të dhënat e mia. Sigurisht është e rëndësishme që të mbrohet siguria kombëtare, por ne e dimë nga përvoja se qeveria AKP do të pengojë në çdo mënyrë lirinë e mendimit dhe për këtë qëllim ka krijuar edhe këtë ligj”, thotë Saka.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button