Bota
Koronavirusi, 6 viktima në Itali/ Mbi 200 raste infektimi, Austria ndal trenat me Italinë
February 24, 2020
0 2 minutes read
Ka shkuar në gjashtë numri i viktimave të koronavirusit në Itali, ndërkohë që ka tani edhe mungesë tamponësh për analizat e koronavirusit.
Të prekurit në Itali, janë 224. Lombardia është rajoni me numrin më të madh të rasteve, deri më tani 172. 27 të prekur janë regjistruar në Veneto, 18 në Emilia Romagna, 4 në Piemonte dhe 3 në Lazio. Por, ka edhe një lajm të mirë, një nga të sëmurët, është shëruar. Milano, falë edhe mbylljes së shkollave, është e zbrazur; metroja dhe trenat janë bosh. Ndërkohë, në Vo, në Veneto, kanë nisur kontrollet nëpër rrugë. Brenda dhe jashte aeroporteve, kontrollet jane te shumta ndërkohë që në aeroportin e Fierences është e pranishme edhe ushtria.
Shumë qytetarë i janë drejtuar supermarketeve për të blerë ushqime në rast emergjence duke i lënë raftet atje, thuajse të zbrazura. Në Lion ndërkohë është bllokuar një autobus nga Italia ndërsa në Mauricius, është ndaluar zbarkimi i italianëve nga zonat e rrezikut, ndërsa gjithnjë e më shumë po diskutohet tani për pezullimin e Shengenit. Austria, një ditë më parë bllokoi kufijtë me Italinë ndërsa Franca dhe Zvicra thanë se për momentin nuk do të ndiqnin këtë shembull.
Nisur nga zhvillimet në Itali, një mision i përbashkët i BE dhe OBSH do të mbërrijë në vend ndërkohë që komisioni evropian ka akorduar 230 milionë euro për të ndihmuar luftën globale kundër përhapjes së koronavirusit.
Italia, bëhet kështu vendi i tretë në botë për sa i takon numrit të rasteve të koronavirusit, pas kinës dhe Koresë së Jugut dhe para Iranit. Përhapja e tij, po rrit frikën e një pandemie globale. Pandemia shpallet kur një sëmundje infektive kërcënon pjesë të ndryshme të botës në të njëjtën kohë dhe për ekspertët, situata e kombinuar në Korenë e Jugut, Iran dhe Itali, flet për fazat e para të pandemisë. Rreth 77 mijë njerëz në kinë janë infektuar dhe 2600 kanë humbur jetën. Ndërsa sipas OBSH, më shumë se 1200 raste janë konfirmuar në 26 vende të tjera të botës dhe tetë kanë qenë viktimat. Të hënën, Afganistani, Kuvajti dhe Bahreini raportuan rastet e para të tyre, të gjithë njerëz të kthyer nga Irani. Në Korenë e Jugut, numri i të prekurve ka shkuar në më shumë se 760 ndërsa shtatë janë viktimat. Ndërsa irani ka konfirmuar 43 raste, 12 prej të cilëve kanë humbur jetën.