“Kosova është zemra e Serbisë”, propagandë e grafite nacionaliste për Prishtinën në mes të Beogradit
Mesazhi “Kosova është zemra e Serbisë” është shkruar në fasadën e një ndërtese në zonën kryesore të këmbësorëve në Beograd, ku çdo ditë kalojnë mijëra turistë. Ky slogan nacionalist, që mohon pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall në vitin 2008, zëvendësoi një grafit që mohonte gjenocidin ndaj boshnjakëve në Srebrenicë. Ky i fundit ndodhej aty që nga qershori i vitit 2024 dhe si autor ishte nënshkruar grupi ultradjathtist “Patrulla Popullore”. Aktivistët e organizatës joqeveritare “KROKODIL” e kanë fshirë disa herë atë grafit, por mesazhet nacionaliste kanë vazhduar të rikthehen.
“Ata i bëjnë këto grafite me qëllim që të përhapin propagandë, frikë, urrejtje, nacionalizëm e gjëra të ngjashme”, thotë për Radion Evropa e Lirë Filip Jovanoviq, aktivist që ka marrë pjesë në rreth njëzet aksione të lyerjes. Pas aksionit të fundit të aktivistëve, në fasadë u shfaq mesazhi për Kosovën, por, kësaj radhe, asnjë organizatë nuk u nënshkrua si autor. Radio Evropa e Lirë nuk mori përgjigje nga Administrata e Qytetit të Beogradit, as nga Inspektorati Komunal i Komunës Qyteti i Vjetër, në territorin e së cilës është shkruar grafiti Marko, një 26-vjeçar nga Beogradi, thotë se nuk sheh diçka të pakëndshme në grafitet si ai që ndodhet aktualisht në fasadën e dyqanit “Beograd” në qendër të qytetit. “Është historia jonë dhe turistët që ecin nëpër qendër të qytetit, duhet ta shohin. Mendoj se duhet të ketë më shumë murale të tilla”, thotë ai. Lubica, 43 vjeç, po ashtu nga Beogradi, beson se mesazhet e tilla nuk kanë vend në qendër të qytetit. “Në fund të fundit, kjo është qendra e qytetit dhe do të ishte më mirë nëse nuk do të kishte grafite.
Nëse do të duhej të kishte diçka, atëherë do të ishte mirë nëse do të lidhej me folklorin tonë, siç është, për shembull, modeli nga qilimi i Pirotit”, thotë ai.Edhe pse gjendet në një zonë të frekuentuar këmbësorësh, grafiti nuk i ka rënë në sy Nenadit. “Nuk e kam parë fare atë grafit derisa ma treguat ju. Nuk kam asgjë kundër politikës shtetërore, por mendoj se do të ishte më bukur sikur të ishte, thjesht, një mur i bardhë”, thotë ai. Nga Administrata e Qytetit dhe Inspektorati Komunal i Qytetit të Vjetër nuk janë përgjigjur në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se përse grafiti që mohon pavarësinë e Kosovës, nuk është fshirë. Slogani “Kosova është zemra e Serbisë” u përhap në fund të viteve ’80, gjatë rritjes së nacionalizmit serb, dhe u përdor gjerësisht edhe gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999. Ai u përdor nga politikanë, organizata, grupe tifozësh dhe pjesë të Kishës Ortodokse Serbe. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të cilën Serbia ende nuk e njeh, slogani u rikthye sërish në përdorim.
Tel me gjemba për aktivistët
Aktivistët e “KROKODIL”-it kanë hequr disa herë nga fasada e ish-qendrës tregtare “Beograd” grafitin me mesazhin në anglisht: “I vetmi gjenocid në Ballkan ka qenë ndaj serbëve”. Ky mesazh u shfaq për herë të parë në fillim të qershorit 2024 dhe si autor u nënshkrua grupi i paregjistruar ultradjathtist “Patrulla Popullore”, i njohur për lidhje me grupe të afërta me Rusinë dhe për veprime kundër migrantëve. Grafiti u shfaq vetëm pak ditë pasi në Kombet e Bashkuara u miratua rezoluta që shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, në vitin 1995, forcat serbe të Bosnjës, nën komandën e Ratko Mlladiqit, vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë.
“Herën e fundit kur ishim aty [më 11 prill], sipërfaqja ishte lyer me vaj dhe ishin vendosur copa teli me gjemba, që dikush të rrëshqiste dhe të lëndohej. Duhej të punonim me shumë kujdes”, thotë Jovanoviq.Ky student 23-vjeçar i Psikologjisë jeton në Valevë – rreth 100 kilometra në jugperëndim të Beogradit. Në Beograd shkon sa herë që “KROKODIL” organizon aksione për heqjen e grafiteve dhe thotë se, deri tani, ka marrë pjesë në rreth njëzet të tilla. Edhe pse mesazhet nacionaliste rikthehen shpejt në mure, ai thotë se nuk e humb motivimin. “Secili prej nesh duhet t’i lajë dhëmbët çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje. E njëjta gjë është edhe me atë që bëjmë ne – është një lloj mirëmbajtjeje e rregullt e higjienës së qytetit”, thotë Jovanoviq.
Aktivistët e “KROKODIL”-it po i kthejnë fasadat në gjendjen e tyre origjinale me ngjyrë të bardhë, duke i mbuluar parullat shoviniste të shkruara në mure. Rreth njëqind metra larg grafitit “Kosova është zemra e Serbisë”, në rrugën “Sremska”, aktivistët mbuluan në mes të majit edhe grafitin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Policia dhe ushtria e Serbisë u tërhoqën nga Kosova në vitin 1999, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, me të cilën u ndalën bombardimet e NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë, të cilat nisën për shkak të krimeve të forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë. Ky slogan nacionalist është shkruar në shumë vende në Serbi dhe është hequr edhe më herët nga aktivistët civilë, të cilët thonë se ai nxit jotolerancë dhe thirrje për konflikt. Muralet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” janë shfaqur në gjithë Serbinë edhe më shumë se tre vjet më parë. Për ditë me radhë, persona të panjohur i kanë shkruar në fasada publike dhe private, si dhe në muret mbajtëse përgjatë autostradave.
Muralet nuk janë të nënshkruar, por një portal i lidhur me tifozët e klubit të futbollit “Crvena Zvezda” ka pohuar se ata e kanë vendosur këtë varg në disa lokacione në Beograd. Jovanoviq thotë se grafitet nacionaliste rikthehen shpejt, sepse, sipas tij, shkrimi i tyre mbështetet nga pushteti. “Ata që i shkruajnë, kanë mbrojtje nga policia, në kuptimin që nuk ndëshkohen edhe kur i vendosin në mes të ditës, edhe pse është e paligjshme”, thotë ai. Përfaqësues të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, përfshirë kryetarin e saj dhe ish-kryeministrin Millosh Vuçeviq, kanë kritikuar aktivistët që i heqin këto grafite, duke i akuzuar se “urrejnë gjithçka që është serbe”.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.