⛈️
Tiranë 18°C · Stuhi 21 Tetor 2026
S&P 500 7,757 ▲0.58%
DOW 52,856 ▲0.69%
NASDAQ 26,703 ▲1.05%
NAFTA 97.71 ▲0.58%
ARI 4,160 ▲0.23%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1227 EUR/GBP 0.8401 EUR/CHF 0.9267 EUR/ALL 90.8997 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4381 EUR/TRY 55.6898 EUR/JPY 177.64 EUR/CAD 1.5781 EUR/USD 1.1227 EUR/GBP 0.8401 EUR/CHF 0.9267 EUR/ALL 90.8997 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4381 EUR/TRY 55.6898 EUR/JPY 177.64 EUR/CAD 1.5781
₿ CRYPTO
BTC $84,830 ▲ +2.23% ETH $2,499 ▲ +1.66% XRP $1.3822 ▲ +3.64% SOL $108.2500 ▲ +1.33%
S&P 500 7,757 ▲0.58 % DOW 52,856 ▲0.69 % NASDAQ 26,703 ▲1.05 % NAFTA 97.71 ▲0.58 % ARI 4,160 ▲0.23 % S&P 500 7,757 ▲0.58 % DOW 52,856 ▲0.69 % NASDAQ 26,703 ▲1.05 % NAFTA 97.71 ▲0.58 % ARI 4,160 ▲0.23 %
EUR/USD 1.1227 EUR/GBP 0.8401 EUR/CHF 0.9267 EUR/ALL 90.8997 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4381 EUR/TRY 55.6898 EUR/JPY 177.64 EUR/CAD 1.5781 EUR/USD 1.1227 EUR/GBP 0.8401 EUR/CHF 0.9267 EUR/ALL 90.8997 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4381 EUR/TRY 55.6898 EUR/JPY 177.64 EUR/CAD 1.5781
21 Tet 2026
Breaking
Kosova

Ligji për Specialen, Cakolli: Presidentja Shiroka-Pula ka afat deri të premten për ta kthyer në Kuvend

Hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, ka sqaruar procedurat kushtetuese dhe parlamentare lidhur me mundësinë e kthimit për rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara nga presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, duke theksuar se afati për dekretimin ose kthimin e tij përfundon të premten, më 23 tetor.

Sipas Cakollit, presidentja ka të drejtë ta kthejë një ligj në Kuvend për rishqyrtim përmes mekanizmit të njohur si “veto pezulluese”, por kjo kompetencë duhet të mbështetet në kundërshtime konkrete që lidhen me cenimin eventual të interesave legjitime të Kosovës ose të komuniteteve.

“Presidentja mund ta kthejë një ligj në Kuvend për rishqyrtim, përmes asaj që njihet si veto pezulluese, duke e ndalur përkohësisht shpalljen e tij”, ka shpjeguar Cakolli.

Ai ka theksuar se kjo e drejtë duhet të ushtrohet brenda tetë ditëve nga pranimi i ligjit, ndërsa nëse presidentja nuk merr vendim brenda këtij afati, ligji konsiderohet i shpallur edhe pa dekret presidencial dhe hyn në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Cakolli ka sqaruar se në rast se presidentja Shiroka-Pula vendos ta kthejë Ligjin për Specialen, Kuvendi mund ta miratojë sërish me shumicën e të gjithë deputetëve, përkatësisht me të paktën 61 vota.

“Në rast kthimi, Kuvendi mund ta miratojë sërish ligjin, këtë herë me shumicën e të gjithë deputetëve, pra së paku 61 vota për, duke e përmbysur veton”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, pas një votimi të tillë, ligji konsiderohet i shpallur dhe presidentja nuk mund ta kthejë për herë të dytë të njëjtin ligj.

Megjithatë, Cakolli ka ngritur edhe çështjen e paqartësive procedurale në rast se Kuvendi synon t’i ndryshojë dispozitat e kundërshtuara nga presidentja.

Ai ka shpjeguar se Rregullorja e mëparshme e Kuvendit e parashihte shprehimisht mundësinë e korrigjimit të çështjeve të ngritura nga presidenti, ndërsa Rregullorja aktuale përshkruan vetëm procedurën e përmbysjes së vetos, pa e shtjelluar mënyrën e ndryshimit të dispozitave.

Sipas vlerësimit të tij, Kuvendi duhet të ketë mundësi t’i korrigjojë nenet e kundërshtuara, pasi vetë qëllimi i kthimit të ligjit është rishqyrtimi dhe adresimi i vërejtjeve të presidentes.

“Nëse Ligji për Specialen do të kthehet, Komisioni për Legjislacion ka katër javë nga pranimi për ta përgatitur raportin për seancë, me mundësi që shqyrtimin ta përfundojë edhe më herët”, ka theksuar Cakolli.

Ai ka shtuar se interpretimi i Rregullores nga Komisioni për Legjislacion mund të shërbejë për të sqaruar procedurën e propozimit dhe votimit të ndryshimeve eventuale përpara se ligji të shqyrtohet sërish në seancë plenare.

Duke iu referuar praktikave të mëparshme, Cakolli ka kujtuar se presidentët e Kosovës kanë kthyer të paktën tetë ligje për rishqyrtim në Kuvend.

Prej tyre, katër raste i përkasin mandatit të ish-presidentes Atifete Jahjaga, dy mandatit të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe dy mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani.

Njëri nga rastet gjatë mandatit të Jahjagës, që lidhej me pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kishte përfunduar në Gjykatën Kushtetuese, e cila kishte sqaruar kufijtë e kompetencës presidenciale për kthimin e ligjeve.

Kështu, sipas shpjegimit të Cakollit, deri të premten mbetet të shihet nëse presidentja Justina Shiroka-Pula do ta shpallë Ligjin për Specialen apo do ta shfrytëzojë të drejtën kushtetuese për ta kthyer në Kuvend për rishqyrtim. /Telegrafi/

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.