Kosova përballet me erëra të forta, raportohen dëme në Deçan, Prizren, Mitrovicë e Drenas
Erërat e fuqishme që kanë përfshirë Kosovën nga mbrëmja e së enjtes kanë shkaktuar dëme në disa komuna, ndërsa autoritetet komunale u kanë bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar.
Në Deçan, ekipet emergjente kanë intervenuar gjatë gjithë natës, ndërsa angazhimi për sanimin e dëmeve po vazhdon edhe gjatë ditës së sotme.
Komuna ka bërë të ditur se në terren janë ekipet e Ndërmarrjes Publike Lokale “Higjiena” dhe Njësisë së Zjarrfikësve, ndërsa po mbështeten edhe ekipet e KEDS-it për sanimin e shtyllave elektrike të dëmtuara në Voksh, Drenoc, Gllogjan, Shaptej, Strellc, Gramaçel dhe vendbanime të tjera.
Dëme nga erërat e fuqishme janë raportuar edhe në Prizren. Në rrugën “Emin Pasha” ka nisur shembja e një shtëpie, ndërsa shqetësime janë ngritur edhe për kulmin e objektit të Administratës Komunale, ku, sipas asamblistit Petrit Hoxhaj, disa pjesë të tij kanë filluar të shkëputen, raporton Telegrafi.
Po ashtu, në rrugën Prizren–Nashec është raportuar për rrëzimin e një shtylle. Për shkak të erërave me intensitet të lartë, Kalaja e Prizrenit është mbyllur për vizitorë gjatë ditës së sotme, si masë parandaluese për mbrojtjen e tyre.
Ndërkohë, në fshatin Bare të Mitrovicës janë raportuar dëme materiale si pasojë e erërave të fuqishme. Për këtë situatë ka raportuar mediumi lokal Mitropol, por deri më tani nuk janë bërë të ditura hollësi për përmasat e dëmeve dhe numrin e banorëve të prekur.
Edhe në Drenas janë evidentuar dëme në objekte. Sipas njoftimit të komunës, në rrugën “Adem Mulaj”, afër parkingut, është shkëputur dhe ka rënë një pjesë e kulmit të një ndërtese, ndërsa dëmtime serioze janë vërejtur edhe në kulmin e objektit të çerdhes së vjetër, ku ekziston rreziku i shkëputjes së pjesëve të tjera.
Në anën tjetër, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë lëvizjes dhe qëndrimit në hapësira të hapura.
Ai ka këshilluar qytetarët që të shmangin qëndrimin pranë drunjve të lartë dhe objekteve të paqëndrueshme, të sigurojnë sendet në oborre e ballkone dhe të mos parkojnë automjetet pranë drunjve apo objekteve që mund të paraqesin rrezik.
Autoritetet kanë apeluar për kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat ku janë evidentuar dëme, për shkak të rrezikut nga kulmet, shtyllat elektrike, drunjtë dhe materialet që mund të shkëputen nga era. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.