Kourtney Kardashian shpërthen ndaj Jennifer Lawrence: “Doja ta godisja”

Kourtney Kardashian nuk e priti mirë deklaratën e Jennifer Lawrence, e cila e kishte quajtur “më të bezdisshme se kurrë”. Në episodin e ri të “The Kardashians”, Kourtney tregoi se në atë moment kishte dashur ta “godiste” aktoren.
Në premierën e sezonit të tetë të “The Kardashians”, e publikuar të enjten në Hulu, Kourtney foli për komentet që Lawrence kishte bërë gjatë një testi poligrafik për Vanity Fair në nëntor të vitit 2025.
“Kur nëna ime, Kris Jenner, më tha se kishte folur me Jennifer Lawrence dhe Emma Stone dhe se ato ishin të mrekullueshme, unë thashë: ‘Në dreq me atë Jennifer Lawrence’”, tregoi Kourtney gjatë bisedës me mikun e saj, Simon Huck.
Ajo pranoi se ishte ndjerë shumë e ofenduar nga komentet e aktores.
“I thashë mamasë sime: ‘Ajo mendon se është një nga motrat e mia? Le ta ftojmë dhe të sillem me të sikur të ishte motra ime’”, tregoi Kourtney.
Pas komenteve të saj, Jennifer Lawrence mësoi se Kourtney ishte mërzitur dhe vendosi t’i kërkonte falje. Aktorja 36-vjeçare i kërkoi Kim Kardashian adresën e emailit të Kourtney-t dhe më pas i dërgoi një mesazh.
“Thjesht ndihem sikur jam një nga motrat e tua”, i shkroi Lawrence.
Kourtney tregoi se mesazhi ishte shumë i këndshëm, por në atë moment ende nuk i ishte përgjigjur.
Ajo madje mendoi t’i kthente një përgjigje me humor: “Herën tjetër që do të vish, mund të përleshemi – në stilin Kourtney dhe Kim”.
Kjo ishte një referencë ndaj një prej përplasjeve më të famshme mes motrave Kardashian në “Keeping Up with the Kardashians”.
Jennifer Lawrence kishte bërë deklaratat për Kourtney gjatë një interviste me Vanity Fair vitin e kaluar.
“Kourtney është bërë më e bezdisshme se kurrë. Më çmend”, kishte thënë aktorja, teksa fliste për dashurinë e saj ndaj familjes Kardashian dhe reality show-t.
Lawrence kishte shpjeguar më tej se Kourtney i dukej e bezdisshme sepse, sipas saj, ajo e bën gjithçka një “ngjarje” dhe shpesh njofton publikisht vendimet e saj personale.
Megjithatë, disa muaj më vonë, Lawrence pranoi se mund ta kishte tepruar me komentet e saj.
“Kur bëj intervista, duhet të them gjysmën e gjërave që thonë njerëzit normalë. Sepse i shoh citimet e mia dhe janë të çmendura”, kishte deklaruar ajo në podcastin “Good Hang” të Amy Poehler.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.