Bora e parë, sfidë për banorët e Tanushës, rruga mbulohet nga akulli
Banorët e fshatit Tanushë të Shkupit u përballën me ngrica në rrugën që lidh fshatin me qytetin dhe kërkojnë nga komuna që rruga të pastrohet e të jetë gjithmonë e kalueshme.
Bora e parë ka zbardhur fshatin Tanushë, por për banorët e zonës ajo nuk është vetëm pamje dimri, por edhe sfidë, sidomos për qarkullimin në rrugën që lidh fshatin me qytetin e Shkupit, njofton Alsat.
Sfidën e parë me ngricat në rrugë e përjetuan disa banorë, të cilët tentuan të kalonin nëpër rrugën e mbuluar me akull; pa pajisje dimërore, kalimi ishte tejet i vështirë, dhe si shkak i ngricave u desh edhe të vendoseshin zinxhirë në rrotat e automjeteve për të vazhduar udhëtimin.
“Shumë vështirë… Nëse bie edhe njëherë borë dhe rruga bllokohet totalisht, duhet të ecim në këmbë, i ka diku 16 kilometra. Është e vështirë të jesh banor i kësaj zone, sepse nuk ka rrugë siç duhet; rruga për në Brezë është me gropa”, tha një banor i zonës për Alsat-in.
Një tjetër banor, që po shkonte për në fshatin Brezë, tha se gjatë dimrit qarkullimi është i vështirë sepse rruga nuk pastrohet siç duhet dhe sa herë ka borë është e bllokuar. “Kërkojmë nga komuna që rruga të jetë e kaluar gjithmonë, sepse kemi lartë bagëti dhe punën atje dhe lëvizim çdoherë këtu”, tha ai.
Përveç Tanushës, bora e parë ka zbardhur edhe zonat e tjera malore të vendit. Sipas parashikimeve, gjatë natës temperaturat pritet të zbresin deri në minus 3 gradë, ndërsa i ftohti më i madh pritet gjatë fundjavës dhe në fillim të javës së ardhshme, me temperatura mëngjesi deri në minus 4 gradë dhe reshje bore në zonat malore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.